“24 ORË REALITET” një “festë” me fokus ndryshimet klimatike përmes transmetimeve direkte nga e gjithë bota, bashkoi në një rrugëtim me destinacion të përbashkët, eksperiencat e qytetarëve, shkencëtarëve, sipërmarrësve dhe drejtuesve lokalë të cilët punojnë për të gjetur zgjidhje praktike në përmirësim të situatës mjedisore.
Në Shqipëri, më datë 6 dhjetor, nën përkujdesjen e Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri, pranë ambjenteve të biblotekës Tirana Times, aktiviteti mblodhi bashkë për të diskutuar e vëzhguar, të rinj dhe ekspertë. I realizuar në formën e një aktiviteti aspak formal, nisi në mënyrë të natyrshme me fotografi dhe mesazhe mbi tollumbacet e bardha, me shkrime të tilla si: “Mos ma prek Valbonën”, “Ne nuk ndalemi”, “Rruga që kemi përpara”.
E pranishme në këtë aktivitet znj. Laureta Dibra, Përgjegjëse e Sektorit të Ajrit, Ndryshimeve Klimatike dhe Kimikateve, pranë Ministrisë së Mjedisit, solli në fokus situatën aktuale të vendit tonë dhe qasjen ndaj konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ne lidhje me çështjen e klimës.
“Në qershor të vitit 2014 qeveria shqiptare ka ngritur Grupin Ndërministor për ndryshimet klimatike, që merret me hartimin e projekteve dhe planeve kombëtare. Jemi në prag të miratimit të Planit Kombëtar për ndryshimet klimatike, ku kemi identifikuar 15 masa prioritare që lidhen me përmbytjet, fushën e turizmit, bujqësisë, shëndetsisë në mënyrë që çdo investim që do të bëhet në të ardhmen, të merren në konsideratë ndryshimet e klimës.”- bëri të ditur zonja Dibra.
Pyetjes së një prej të rinjve në lidhje me rolin e Shqipërisë në Konventat Ndërkombëtare dhe masat që do të merrën në të ardhmen:- zonja Dibra shpjegoi se:- Shqipëria ka ratifikuar tashmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Protokollin e Kyotos për reduktimin e gazrave me efekt serrë në atmosferë, ku deri në 2020 na është lënë kohë të krijohen strukturat e duhura dhe të fillojmë më pas të monitorohemi, për atë arritur zotimin tonë, atë të reduktimit me 11,5% të gazrave me efektin serrë.
Në vazhdim të aktivitetit u ndoq me kuriozitet prezantimi i Gjermanisë dhe realizimit të biogazit. Një fshat i vogël i quajtur Wildpoldsried me 2600 banorë, që prej 1999, me vendimin e Këshillit kishte vendosur se deri në 2020, të behej e mundur të përdorej vetëm energjia e rinovueshme.
“24 ORË REALITET” një “festë” për mjedisin
Dhjetor 07, 2016

