Problematikat mjedisore dhe sociale që shkakton ndërtimi i HECeve të vegjël mbeten shqetësim për shumë komunitete në zonat ku do të kryhen këto investime si dhe për organizatat mjedisore shqiptare. Me nismën e Kryetarit të Prezencës së OSBE, ambasadorit Bernd Borchard, sot më 21 mars u mbajt një dëgjesë publike e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese dhe Mjedisin me përfaqësues të shoqërisë civilie dhe të disa agjencive ligjzbatuese në vend.
Z. Islam Lauka, përfaqësues i organizatës Toka nga Tropoja, ngiti shqetësimin e ndikimit të 12 HECeve mbi lumin Valbonë. Ai theksoi se procesi i dhënies së lejeve ka pasur mungesë transparence dhe mangësi të theksuara në përfshirjen e komuniteteve në këtë vendimmarrje. Specialistë të tjerë të mjedisit theksuan se raportet e VNMsë nuk janë bazuar në të dhëna të sakta shkencore dhe nuk referojnë burimet e informacionit mbi të cilat janë hartuar. Në asnjë prej tyre nuk lexohet karakteri rajonal i Parkut Kombëtar ku ndodhet lumi Valbonë.
Më tej, Valbona Mazreku, përfaqësuese e Milieukontakt përshkroi natyrën e 18 konflikteve sociale si rezultat i investimeve të tilla. Në 2/3 e rasteve, ka rezultuar se informimi i publkiut ka qenë i dobët ose i munguar dhe natyra e konfliktit kishte të bënte më së shumti me të drejtat e përdorimit të ujit. Studimi i kryer në kuadër të programit ACHIEVE, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me mbështetjen financiare të Delegacionit të BE në Shqipëri, nxjerr në pah shtrirjen e gjerë gjeografike në të gjithë vendin.
Agim Blloshmi, përfaqësues i Shoqatës Egnatia, paraqiti numrin e lartë të HECeve në zbatim ose të planifikuara në Parkun Shebenik-Jabllanicë. Aktualisht janë ndërtuar 4 HECe, 7 të tjera janë në ndërtim dhe janë planifikuar edhe 84 HECe të tjera. Problematikat lidhur me dhënien e lejeve apo zbatimin e projekteve të miratuara kanë çuar në 180 raste konfliktesh me popullësinë vendore. Së fundi, shoqata Eco Albania, paraqiti procesin gjyqësor lidhur me HECin e Poçemit. Edhe në këtë rast, informimi dhe konsultimi i komuniteteve të prekura u referua se ka munguar ose është bërë me mangësi.
Prej përfaqësuesve të Komisionit Parlamentar dhe agjencive të tjera u diskutuan një sërë masash që duhen marrë për të frenuar ose kontrolluar ndikimet mjedisore të investimve te tilla, ndër të cilat përmirësimi dhe standardizimi i VNMve, hartimi i VSMve për basenet lumore dhe konsultimet e plota me publikun duhet të jenë prioritet i së ardhmes. Ndërkohë për lejet e dhëna u kërkua shqyrtimi i procedurave dhe bllokimi i rasteve kur këto procedura janë bërë në kundershtim me ligjin. Veprimtari të tilla që sjellin zërin e shoqërise civile, shprehin jo vetëm një shkallë më të lartë maturiteti por janë shenjë e organizimit të komuniteteve në mbrojte të të drejtave të tyre.
Dëgjesë publike për hidrocentralet e vegjël
Mars 21, 2017

