Egjipti bashkon autoritetet dhe ekspertët e çështjeve të ujit

Nëntor 23, 2016

Seminari Rajonal mbi Përpunimin dhe Shkëmbimin e të Dhënave për burimet ujore, hapi siparin e tij më 22 Nëntor në Kajro, Egjipt dhe do të vazhdojë punimet deri më datë 24 Nëntor 2016. Në kuadër të aktiviteteve të projektit Water POrT për ngritjen e kapaciteteve për Mbrojtjen e Burimeve Ujore, seminari ka mbledhur sëbashku aktorët e fushës që merren me të dhënat për burimet ujore, duke përfshirë autoritetet për mjedisin dhe ujin, ekspertë, kërkues dhe palë interesi përgjegjëse për raportimin dhe shkëmbimin e të dhënave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Z. Mihallaq Qirjo, zv. Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) dhe njëkohësisht Ekspert i Lartë në çështjet e ujit, dhe menaxherja e projektit WATER SUM/WATER POrT znj. Jovanka Ignjatovic, mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse në hapjen e seminarit.

Z. Qirjo i adresoi falenderime të veçanta Qeverisë së Egjiptit për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ofruar për këtë seminar rajonal dhe Qeverisë së Suedisë që ka mbështetur financiarisht zbatimin e projektit WATER SUM.

Në vijim, ai theksoi rëndësinë strategjike të ujit si burim dhe element thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm kombëtar dhe rajonal dhe iu bëri thirrje vendeve dhe REC për përdorim të plotë të potencialit të ofruar nga diplomacia dhe qeveria lidhur me ujin, në mënyrë që të rritet qëndrueshmëria në rajon dhe më tej. Gjithashtu z. Qirjo theksoi rolin që REC mund të luajë si bashkëpunëtor duke kontribuar në mënyrë efikase për Basenin e Mesdheut, nëpëmjet projekteve përfaqësuese në të cilat REC promovon përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe përmes partneriteteve me palët kryesore të interesit në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Nga ana tjetër, Dr. Ragab Abdel Azim, nënsekretari i parë i Ministrisë së Burimeve Ujore dhe Sistemeve të Ujitjes së Egjiptit, theksoi dobinë e këtij seminari rajonal për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira mes palëve të interesit dhe aktorëve që vijnë vendet vulnerabël të rajonit së Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Ndër të tjera, Dr. Abdel Azim njohu rolin që Projekti WATER SUM dhe REC i sjellin Egjiptit dhe rajonit së Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut për të përshpejtuar proceset dhe për të identifikuar prioritetet në fushën e menaxhimit të ujit.

Seminari do të identifikojë nevojat e përbashkëta dhe boshllëqet e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përsa i përket të dhënave hidrologjike, meteorologjike dhe për cilësinë e ujit, të cilat janë të nevojshme për zbatimin e planeve të Menaxhimit të Integruar të Baseneve Lumore (IRBM). Shembujt që do të përdoren gjatë seminarit vijnë si rezultat i 15 viteve eksperiencë nga puna e ekspertëve pjesëmarrës nga institucione private dhe publike.

Gjashtë sesionet e punës do të përfshijnë prezantime për praktikat dhe eksperiencat më të mira nga Egjipti, Jordania, Tunizia dhe vende të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut dhe organizata ndërkombëtare.

Së fundi, seminari do të mund të lehtësojë shkëmbimin e eksperiencës mes vendeve si dhe ndërtimin e protokollove të përbashkëta për shkëmbimin e të dhënave.