COP 22: REC i bashkohet si kontribues

Nëntor 08, 2016

Ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim thelbësor për gjithçka që ne duam. Ndikimet tashmë po ndihen në shumë komunitete dhe ekosisteme anembanë botës. Mes kërkimeve të konsiderueshme dhe diskutimeve të politikave mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike po ndikojnë në shëndetin publik, një çështje që kërkon vëmendje është ndikimi që ka ndryshimi klimatik në ambjentet e brendshme dhe në këtë mënyrë në shëndetin e njerëzve që jetojnë, punojnë, studiojnë ose luajnë në këto mjedise.

Konferenca e Ndryshimeve Klimatike të OKB –së në Marakesh (7 – 18 Nëntor 2016) është një hap i rëndësishëm për qeveritë që kërkojnë të vënë në zbatim Marrëveshjen për Ndryshimet Klimatike në Paris e miratuar vitin e kaluar. Në përputhje me rezultatin e synuar nga REC dhe projektet në vazhdim, delegacioni i REC u ftua për të kontribuar në aktivitetet e COP 22.

Një nga tri shtyllat e strategjisë së REC 2016 – 2020 fokusohet në fuqëzimin e zhvillimit me shkarkime të ulëta, rritje të përshtatshmërisë ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, dhe nxitjen e jetesës së qëndrueshme dhe të shëndetshme.

Ministria italiane e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe Detit, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Mjedisit për Evropën Qendrore dhe Lindore (REC) dhe Institutin Kombëtar Italian për Kërkime dhe Mbrojtjen e Mjedisit (ISPRA) nëpërmjet nismës SEARCH (School Environment and Respiratory Health of Children) kanë dhënë një kontribut të madh për zhvillimet pozitive dhe përmirësimet thelbësore në mjedis, sektorët e edukimit dhe shëndetit në Evropë, në kontekstin rajonal dhe kombëtar.

Nisma ishte në vazhdimësi të studimeve globale dhe politikave të OBSH dhe BE, duke theksuar se cilësia e ajrit dhe politikat për klimën sigurojnë të mira të përbashkëta.

Edukimi dhe trajnimi janë të pandashëm në mundësimin e kontributit të qytetarëve në përpjekjet lokale dhe globale për t’u përballur me sfidat që parashtrojnë ndryshimet klimatike.

Pas një dekade kërkimesh ndërkombëtare për të përmirësuar mjediset në shkolla dhe shëndetin e sistemit të frymëmarrjes te fëmijët, Paketa e Ajrit, një mjet edukativ, kthen rekomandimet e nismës SEARCH në një format më të thjeshtë përdorimi për nxënësit dhe mësuesit. Pilotuar në Itali dhe Shqipëri, Paketa e Ajrit është kthyer në një mjet mjaft të njohur për integrimin e çështjeve të shëndetit, klimës dhe mjedisit në sektorët e edukimit në Evropë dhe më tej.

Në COP22, REC do të organizojë edhe takime dypalëshe ku do të prezantohet puna që po kryhet nga REC nëpërmjet projekteve pilote si përshembull: Adaptimi i Ndryshimeve Klimatike në Hungari, Nismat lokale për Qëndrueshmëri në Ukrainë, Strategjitë për Mbështetjen e Zhvillimeve me Shkarkime të Ulëta në Evropën Juglindore, Akademia e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Projekti për Realitetin Klimatik në Evropë, Përdorimi i Qëndrueshëm i Burimeve Ujore Ndërkufitare dhe Menaxhimi i Sigurtë i Ujit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe Ndërtimi i Qëndrueshmërisë së Komunitetit Lokal për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Ujëmbledhësave në Evropën Juglindore.

Ky aktivitet në Marok ofron një mundësi të shkëlqyer për të treguar se Paketa e Ajrit është praktika më e mirë për të rritur ndërgjegjësimin ndërmjet vendimmarrësve, politikëbërësve, agjencive dhe palëve të interesuara mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e fëmijëve, sidomos në rritjen e rreziqeve lidhur me ajrin e brendshëm dhe të jashtëm; për të promovuar arritjet e projektit të mbështetur nga Qeveria e Italisë, për të tërhequr partnerët dhe përfituesit në vazhdimin dhe zgjerimin e Paketës së Ajrit në vendet e tjera të rrezikuara në rajon (psh Ballkani Perëndimor, Partneriteti Lindor, Fqinjët Jugorë) dhe për të thelluar fokusin në çështjet e ndryshimeve klimatike, për të krijuar mundësinë e nisjes së një mjeti dhe seminareve rajonale/nënrajonale për edukimin mjedisor për ndryshimet klimatike për një rajon të caktuar me interes bazuar në angazhimet UNFCCC dhe e Marrëveshjes së Parisit dhe mandatin e REC si një pikë qendrore rajonale për nenin 6 të UNFCCC.