Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në kuadër të projektit "Shoqëria civile shqiptare për një Mjedis Evropian (ACHIEVE)" i mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, si pjesë e aktiviteteve të Javës së Filmit Mjedisor (22 maj – 5 qershor) bashkëpunoi me disa organizata mjedisore nga qytete të ndryshme të vendit për t’u bërë pjesë e Javës së Filmit Mjedisor 2016.
Shoqata Alpin, Tropojë, ishte e para që çeli siparin e aktiviteteve të Javës së Filmit, me aktivitetin ‘’Të mbrojmë mjedisin detyrë e të gjithëve’’. Nxënësit e klasave të katërta të shkollës 9-vjecare “Besëlidhja e Malësisë”, në Bajram Curri, organizuan një shfaqje, me numra të ndryshëm interpretimi, duke përcjellë tek të pranishmit, dhe nëpërmjet tyre në gjithë komunitetin, mesazhin se mjedisi na përket të gjithëve dhe ‘’nëse nuk mendojmë të gjithë sot e nesërmja do jetë e veshtire për ne’’. Më pas, ata ndoqën filmin mjedisor “Shqipëria e egër”, dokumentar i realizuar nga Cornelia Volk përmes një bashkëpunimi shqiptaro-gjerman, për shqiponjat që rriten në malet tona…që nga lindja e deri në fluturimin e tyre të parë mbi male.
Filmi, i përzgjedhur enkas për këtë grupmoshë, ka si qëllim të informojë nxënësit mbi pasuritë e jashtëzakonshme natyrore të vendit tonë dhe të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit.
Filmi “Shqipëria e egër” është pjesë e filmave që po shfaqen gjatë Festivalit të Filmit Mjedisor në Shqipëri 2016, organizuar nga Bashkimi Evropian, Delegacioni në Shqipëri.
Aktivitete të tjera në kuadër të Javës së Filmit Mjedisor, mbështetur nga projekti ACHIEVE, janë parashikuar të zhvillohen gjatë këtyre ditëve dhe në qytetet e Pogradecit, Sarandës, Lushnjës dhe Ersekës.
Festivali i Filmit Mjedisor 2016
Prill 19, 2016

