Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Qendra EDEN me mbështetjen e Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri, financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit ACHIEVE, organizuan aktivitete edukative ndërgjegjësuese për mjedisin me nxënës të 2 shkollave 9-vjeçare në Tiranë “Sabahudin Gabrani” dhe “Dora d’Distria” si dhe në Qendrën e Edukimit Mjedisor “EDEN” pranë Kopshtit Zoologjik.
Në të dy shkollat u mbollën fidanë bimësh të ndryshme nga vetë nxënësit ku përveç mësimit në teknikat e mbjelljes së bimëve dhe përkujdesit të tyre mësuan dhe informacione mbi anët pozitive që këto bimë ofrojnë ndaj ambjentit dhe njerëzve.
Bimët që u mbollën në këtë aktivitet ishin: dafina, rosmarina, oleandër, jaseminë, si dhe lule dekorative.
Gjithashtu lojra interaktive edukuese u zhvilluan në Qendrën e Edukimit mjedisor në Kopshtin Zoologjik, për zhvillimin e kulturës dhe dashurisë ndaj mjedisit prej fëmijëve të shkollës “Sabahudin Gabrani”. Fëmijëve ju zhvilluan lojra për zhvillimin e mendimit kritik për çështjet mjedisore si dhe një shpjegim historik mbi ditën e tokës dhe shpizës ekologjike “EDEN”.
Gjithashtu fëmijët vizituan edhe kafshët e kopshtit duke marr dhe informacion të pëgjithshëm mbi to dhe kopshtin zoologjik në vetvete.
Tema e Ditës së Tokës së këtij viti ishte “Pemë për Tokën”. Qëllimi i kësaj teme është të përcjelli një ndikim të rëndësishëm dhe të matshëm në Tokë i cili do të shërbejë për një planet të pastër, të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.
22 prilli është një ditë e veçantë e dedikuar për të gjithë ata që u intereson të kujdesen për Tokën. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e mundësive për të përmirësuar çështjen e ndryshimeve klimatike dhe shfrytëzimin e burimeve në mbrojtje të mjedisit.
Gjithashtu më 22 prill nënshkruhet marrëveshja mbi mbrojtjen e klimës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe 120 shtete të tjera të cilat ishin pjesë në konferencën e Parisit për ndryshimet klimatike në 2015.
Festimi i Ditës Ndërkombëtare të Tokës në Tiranë
Prill 22, 2016

