Trajnimi tematik "Menaxhimi i integruar i mbetjeve - Sfidat e arritjes së Standardeve Evropiane" u zhvillua në datat 14 – 15 prill 2016, në qytetin e Peshkopisë nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri. Ky trajnim është i pari në fushën e mbetjeve dhe organizohet si pjesë e trajnimeve të Paketës së Punës për Rritjen e Kapaciteteve të Shoqërisë Civile, pjesë e projektit "Shoqëria civile shqiptare për një Mjedis Evropian (ACHIEVE)", mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri
Në këtë trajnim morën pjesë rreth 18 persona prej të cilëve 14 përfaqësues të OJF-ve mjedisore të rajonit veri-lindor të vendit (Kukës, Bulqizë, Mat, Klos dhe Dibër) si dhe 4 përfaqësues nga bashkitë e po këtij rajoni.
Dita e parë e trajnimit ishte e fokusuar në njohjen e legjislacionit shqiptar për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe shkallën e transpozimit të tij si dhe sfidat që ndeshen në Shqipëri.
Të ftuar në trajnim ishin dhe dy përfaqësues nga bashkia Dibër të cilët sollën si rast studimor shembullin që ndjek kjo bashki në menaxhimin e mbetjeve urbane.
Në ditën e dytë e trajnimit u zhvillua një vizitë studimore në njësinë administrative Kastriot, ku përfaqësuesit e OJFve mjedisore patën rastin të diskutojnë problematikat e menaxhimit të mbetjeve me 15 kyepleqtë e fshatrave që përmbledh kjo njësi.
Në takimin e organizuar në sallën e Njësisë Administrative Kastriot ishin prezente edhe punonjëse të shërbimit shëndetësor, saktësisht 15 infermiere dhe doktoresha të cilat u shprehën tepër të shqetësuara për problemin e menaxhimit të mbetjeve dhe ofrimit të shërbimeve për banorët e zonës, sidomos duke menduar sezonin e muajve të nxehtë që pritet të vijnë.
Problemet që u diskutuan ishin të shumta, duke qenë se shërbimi i tërheqjes së mbetjeve ishte ende i dobët për këtë njësi, edhe pse jo shumë larg nga qyteti i Peshkopisë.
Në shumicën e rasteve njerëzit i hidhinin mbetjet në përrenj, humnera apo në rrjedhat e lumit Drin i cili përshkon mespërmes këtë njësi administrative.
Pjesë e debatit dhe diskutimeve kanë qenë dhe përfaqësuesit e OJFve mjedisore të cilët ndanë me kryepleqtë dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor të Kastriotit disa shembuj të suksesshëm në menaxhimin e mbetjeve.
Përfaqësuesja e OJF-së “Agritra Vizion”, Znj Bukurie Bego, solli shembullin e nismës që kjo OJF ka marrë së fundmi për të krijuar gropa kompostimi në disa fshatra, me qëllimin e vetëm që mbetjet organike të mos përfundojnë në kosh por të përdoren si pleh organik në bujqësi, gjë e cila do të ulte ndjeshëm sasinë e mbetjeve që gjenerohen nga banorët e disa fshatrave të po kësaj njësie.
Interesant ishte dhe shembulli i fshatit Melan, i sjellë nga Z. Halil Goleci, përfaqësuesi i OJF-se “Delfini”, i cili tregoi se si komuniteti i këtij fshati ishte vetëorganizuar për të larguar mbetjet e ngurta, duke bërë tërheqjen e tyre sipas një dite e orari të parapërcaktuar nga vetë komuniteti.
Në fund të trajnimit u organizua dhe një vizitë në fushën e depozitimit të bashkisë Dibër, e cila pritet ti nënshtrohet një rehabilitimit, i cili jo vetëm do të ndikojë në rritjen e kapacitetit të saj por do të përmirësojë performancës e saj mjedisore në lidhje me mjedisin rrethues.
Politikat e menaxhimit të mbetjeve dhe sfidat e arritjes së standardeve evropiane
Prill 16, 2016

