Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në kuadër të projektit "Shoqëria civile shqiptare për një Mjedis Evropian (ACHIEVE)", mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, si pjesë e mbështetjes financiare që projekti ka parashikuar për organizatat e shoqërisë civile ka organizuar sot më datë 14 prill 2016, takimin me pesë fituesit e thirrjes së parë të këtyre granteve.
Të pranishëm në takim ishin drejtuesit, menaxherët dhe bashkë-aplikuesit nga pesë organizatat mjedisore, përkatësisht: Qendra EDEN, Shoqata GO2, Milieukontakt Albania, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri - INCA, dhe Instituti i Kërkimeve Urbane-URI.
Në takim ishin të pranishëm dhe anëtarë të tjerë të REC Shqipëri të përfshirë në program dhe Znj. Rea Nepravishta nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri në cilësinë e vëzhgueses së procesit.
Në fjalën e tij, z. Mihallaq Qirjo, Drejtues i REC Shqipëri, theksoi ecurinë e deritanishme të programit, synimet e këtij programi dhe atë çfarë pritet nga organizatat mjedisore që kanë përfituar grantet.
Gjatë takimit u shpjeguan edhe disa pika të rëndësishme në lidhje me periudhën e zbatimit të projekteve fituese dhe pjesën e raportimit narrativ dhe financiar të tyre.
Po ashtu palët ranë dakord lidhur me organizimin e aktiviteteve në periudha të caktuara kohore,në funksion të shikueshmërisë më të gjerë, duke i bashkërenduar ato me ditët mjedisore apo aktivitete të tjera që zhvillohen në të njejtën kohë.
Në përmbyllje të takimit u bë dhe firmosja e kontratave mes REC Shqipëri dhe fituesve të thirrjes së parë të këtyre granteve.
Takimi i Fituesve për thirrjen e parë të granteve në Projektin ACHIEVE
Prill 14, 2016

