Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në kuadër të projektit "Shoqëria civile shqiptare për një Mjedis Evropian (ACHIEVE)", mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, si pjesë e trajnimeve të Paketës së Punës për Rritjen e Kapaciteteve të Shoqërisë Civile ka organizuar gjatë muajit mars 2016, katër trajnime rajonale tematike “Mbrojtja e Natyrës - Sfidat e arritjes së Standardeve Evropiane”.
Qëllimi i trajnimeve tematike rajonale është njohja me legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e natyrës dhe shkalla e transpozimit të tij si dhe puna që bëhet për ruajtjen e biodiversitetit dhe sfidat në Shqipëri.
Trajnimi i parë u organizua në qytetin e Shkodrës në datat 2-3 Mars 2016, ku morën pjesë 15 anëtarë të OJFve dhe 10 ekspertë që operojnë në sektorin e mbrojtjes së natyrës në agjencitë shtetërore dhe pushtetin vendor të zonës veriore të Shqipërisë. Në ditën e dytë e trajnimit u zhvillua një vizitë studimore në një zonë me vlera natyrore, që për rajonin verior të vendit u përzgjodh të ishte Tamara, qendra e Kelmendit e cila shquhet për bukuritë dhe thesaret natyrore. Pjesëmarrësit në trajnim patën mundësi të vizitionin fshatin e Tamarës i cili rrethohet nga male të thepisur, duke i dhënë fshatit pamjen e një grope të thellë. Kthjelltësia e lumit Cem që përshkon Kelmendin dhe gurët e bardhë të lumit, ia shtojnë bukurinë natyrës së zonës.
Në qytetin e Elbasanit në datat 10-11 Mars 2016 u organizua trajnimi i dytë, ku morën pjesë 12 anëtarë të OJFve dhe 9 ekspertë të angazhuar në sektorin e mbrojtjes së natyrës në agjencitë shtetërore dhe pushtetin vendor nga Elbasani, Korça, Erseka, Porgadeci dhe Librazhdi. Vizita studimore u realizua në Drilon ku u vizituan burimet ujore të liqenit të Ohrit.
Trajnimi i tretë u organizua në qytetin e Përmetit në datat 24-25 mars 2016, ku të pranishëm ishin 16 anëtarë të OJFve dhe 8 ekspertë të sektorit të mbrojtjes së natyrës në agjencitë shtetërore dhe pushtetin vendor të zonës jug-perëndimore të Shqipërisë. Në ditën e dytë e trajnimit u zhvillua një vizitë studimore në burimet e Langaricës. Peizazhi natyror i këtij lumi, që është nga më piktoreskët në të gjithë Shqipërinë është i pasur me shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, por dhe me ujëra termalë që derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës. Vizitorët shijuan bukurinë e egër, por shumë tërheqëse e cila së fundmi është bërë dhe temë debati midis Shoqërisë Civile dhe Qeverisë në lidhje me ndikimet e pritshme që disa investime në zonë kanë mbi vlerat natyrore, por edhe për vlerat arkeologjike të Langaricës.
Trajnimi i fundit tematik "Mbrojtja e Natyrës - Sfidat e arritjes së Standardeve Evropiane" u organizua në datat 30-31 mars 2016 në Tiranë, ku morën pjesë 15 anëtarë të OJFve dhe 8 ekspertë që merren me sektorin e mbrojtjes së natyrës në agjencitë shtetërore dhe pushtetin vendor në zonën qendrore të Shqipërisë. Në ditën e dytë e trajnimitu zhvillua një vizitë në Parkun Kombëtar të Dajtit.
Parku Kombëtar i Dajtit edhe pse është kaq afër Tiranës pak njihet dhe vlerësohet në lidhje me vlerat natyrore që mbart. Ekspertë nga Administrata e Zonave të Mbrojtura të Tiranës i njohën pjesëmarrësit në trajnim me veçoritë e këtij parku siç janë bimësia e vendosur me kate, kushtet e përshtatëshme që ofron Dajti për ecje, eskursione, alpinizëm dhe sporte të tjera në natyrë, etj. Udhëtimi me teleferik drejt Dajtit nxiti diskutime mbi natyrën dhe pamjen mjaft të bukur natyrore që mbart ky park.
Gjatë katër trajnimeve në katër qytete (Shkodër, Elbasan, Përmet, Tiranë) u sollën shembuj të suksesshëm dhe praktikë në lidhje me promovimin e biodiversitetit në Shqipëri dhe diskutime të rëndësishme në lidhje me rolin që vetë shoqëria civile mund të luajë në lidhje me këto problematika apo sesi ajo mund të përfshihet më gjerësisht në çështje, programe dhe strategji në mbrojtjen e natyrës.
"Mbrojtja e Natyrës - Sfidat e arritjes së Standardeve Evropiane"
Prill 04, 2016

