Edukimi, përveç se është një prej të drejtave të njeriut, është një kusht paraprak për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe një mjet kryesor për një qeverisje të mirë, informimin rreth vendimmarrjes dhe mbështetjen e demokracisë.
Në arsimin 9-vjeçar ka disa module që trajtojnë edukimin për mjedisin, të zhvilluara me asistencën e huaj (si Paketa e Gjelbërt nga Qendra Rajonale e Mjedisit; CLEEN nga UNICEF, etj) të cilat prej disa vitesh përdoren nga shkollat si kurrikula me zgjedhje. Shumë organizata jofitimprurëse realizojnë aktivitete edukuese me shkollat, falë mbështetjes së huaj në vend. Aktivitetet mbeten të pabashkërenduara dhe në periudha afatshkurtra.
Në vijim të këtyre nismave ishte dhe aktiviteti i organizuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri dhe Qendra EDEN, javën e kaluar në mjediset e hotel Tirana International.
Me pjesëmarrjen e drejtorëve të shkollave 9 -vjeçare të Tiranës; mësuesve të klasave të 4-ta; përfaqësuesve të organizatave që punojnë në Edukim dhe Mjedis; dhe përfaqësuesve nga DAR Tirana, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit, dhe Bashkia Tiranë, aktiviteti kishte si qëllim diskutimin e sfidave dhe mundësive për bashkëpunim për një mjedis të shëndetshëm dhe një edukim cilësor për brezin e ri.
Prezantimet e paraqitura në aktivitet, si dhe diskutimet më pas nga pjesëmarrësit, ishin të fokusuara në çështjet për të patur një mjedis të shëndetshëm dhe një edukim cilësor përmes:
1. Zbatimit të modeleve dhe praktikave të mira të futura tashmë në të gjitha nivelet dhe profilet e shkollës;
2. Zhvillimit të Edukimit Mjedisor si edukim novator, një formë e re kjo e edukimit sot larg edukimit tradicional brenda klasës;
3. Përfshirjes së shkollës në bashkëpunim me komunitetin, ku roli i OJF-ve është i pazëvndësueshëm në rritjen e ndërgjegjies së komuniteteve në veprime konkrete në përmirësim të gjendjes së mjedisit.
Në fund u prezantua dhe Paketa e Ajrit 2016, produkt i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) si pjesë e punës për të krijuar modele dhe praktika të reja për një mjedis të shëndetshëm dhe një edukim cilësor për brezat e ardhshëm.
“Mjedis i shëndetshëm për një edukim cilësor”
Mars 25, 2016

