Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia së bashku për fuqizimin e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e natyrës

Mars 10, 2016

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, tri vende anëtare të Rrjetit Themis ndajnë së bashku jo vetëm kufijtë politike por dhe burimet natyrore. Autoritete përkatëse të ketyre tri vendeve janë takuar në Ohër të Maqedonisë për trajnimin tri-ditor (9, 10 dhe 11 mars) nën-rajonal mbi Fuqizimin Ndërkufitar të Ligjit të Ujërave dhe të Zonave të Mbrojtura Natyrore organizuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit, si Sekretariat i Rrjetit Themis, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit në Republikën e Maqedonisë.

Vetë misioni i rrjetit THEMIS është mbrojtja e mjedisit, duke përmirësuar kapacitetet e anëtarëve të tij për të zbatuar legjislacionin mbi burimet natyrore dhe pyjet, si dhe për të luftuar krimet mjedisore, çka pasqyrohet edhe në çështjet kryesore të planifikuara për t’u trajtuar si gjendja aktuale e zonave të mbrojtura dhe perspektiva kombëtare mbi menaxhimin, inspektimin, zbatimin e legjislacionit dhe forcimin e tij, nxjerrja në pah e tendencave dhe problemeve të përbashkëta të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, inspektimi i zonave të mbrojtura natyrore në BE, menaxhimi i mbetjeve, monitorimi i ujit në liqenin e Ohrit si dhe çështje që lidhen me Parkun Kombëtar të Galicicës dhe Rezervën Ndërkufitare Biosferë të Prespës.

Objektivi përfundimtar është angazhimi i këtyre autoriteteve nën një veprim ndërkombëtar për fuqizimin e zbatimit të legjislacionit në lidhje me mbrojtjen e natyrës.

Pjesëmarrësit nga Shqipëria janë Z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri, përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, inspektorë të Policisë Pyjore në Ministrinë e Mjedisit dhe në Inspektoratin Shtetëror të Drejtorisë së Policisë Pyjore, Specialistë në sektorin e Regjistrit të Shkarkimit dhe Transferimit të Ndotësve (PRTR) në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe juristë nga e njejta agjenci dhe drejtuesja e Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në Bashkinë e Shkodrës.
I ftuar në trajnim është edhe një delegacion i vogël nga Mali i Zi meqenëse Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera natyrore së bashku, ndërsa Moldavia është ftuar në këtë trajnim në rolin e vëzhguesit për të inkurajuar transferimin e njohurive nga Evropa Juglindore që mund të mbështesin përpjekjet e saj për përafrim në BE.

Për pëmbylljen e takimit është parashikuar të organizohet një tryezë e rrumbullakët ku do të paracaktohen nevojat për vendosjen e një platforme të përbashkët për inspektimet e ardhshme, strategjia për funksionimin e kësaj platforme dhe hapat e ardhshëm për tu ndjekur.
Gjatë zbatimit pilot të këtij plan veprimi, pjesëmarrësit do të mësojnë nga ekspertë të vendeve anëtare të BE-së rreth mënyrës se si kryehen inspektime në natyrë në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e natyrës në BE: Direktiva për Zogjtë dhe Habitatet, Konventa mbi tregtinë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të florës dhe faunës së egër (CITES), dhe legjislacioni për ujin.

Kjo do të sigurojë një bazë për hapat e ardhshëm të përbashkët të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me natyrën në terma ndërkufitarë dhe mbrojtjen e biosferës (duke përfshirë edhe ujin).

: 706 views