Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri ka filluar zyrtarisht zbatimin e një projekti të titulluar “Parku Kombëtar i Dajtit një destinacion turistik i arritshëm dhe tërheqës". Ky është projekti i parë që do të zbatohet në kuadër të bashkëpunimit trepalësh Austerlitz/Slavkov midis Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë
Në fillim të vitit 2015, kryeministrat e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë themeluan marrëveshjen Austerlitz-Slavkov në Slavkov u Brna, Republika Çeke, me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.
Më 1 mars të vitit 2016, gjatë një ceremonie të posaçme në Ambasadën e Çekisë në Tiranë, Bronislava Tomasova (Ambasadore e Republikës Çeke), Milan Ciganik (Ambasador i Republikës së Sllovakisë) dhe Heinz Habertheuer (Shefi i Zyrës Koordinuese për Bashkëpunim Teknik në Ambasadën Austriake) nënshkruan një deklaratë të përbashkët partneriteti për të nisur projektin e Parkut Kombëtar të Dajtit.
REC Shqipëri do ta zbatojë këtë projekt në partneritet me Shoqatën Dajti Alpino Turistik, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Agjencinë për Parqet dhe Rekreacionin të Bashkisë Tiranë për Zonat e Mbrojtura dhe Parqet. Drejtori i REC Shqipëri, Mihallaq Qirjo gjithashtu ka nënshkruar marrëveshjen bilaterale mes REC dhe secilit prej donatorëve të programit.
"Qëllimi i kësaj mbështetjeje të vyer është për të afruar njerëzit, dhe veçanërisht fëmijët, më afër vlerave të natyrës dhe aktiviteteve të shëndetshme", tha Qirjo në këtë ceremoni.
"Atraksione të tilla duhet të jenë nxitës të zhvillimit lokal duke promovuar vlerat natyrore dhe biodiversitetin”.
Hulumtimet mbi tendencat e turizmit shqiptar tregojnë një prirje të vizitorëve drejt aktiviteteve në natyrë. Projekti i Parkut Kombëtar të Dajtit synon të ofrojë lehtësira për eksplorim të sigurtë të mrekullive natyrore shqiptare, në kuadër të platformës së re të bashkëpunimit Austerlitz/Slavkov.
Në kuadër të projektit do të shënohen gati 100 km shtigje përgjatë gjithë territorit të Parkut Kombëtar të Dajtit dhe rrethinave të tij. Përfitime të tjera prej projektit përfshijnë shtypjen e broshurave, fletushkave dhe hartave turistike, krijimin e aplikacioneve të përshtatshme për telefonat celularë, si dhe programe edukative për të rinjtë dhe fëmijët e vegjël.
Parku Kombëtar i Dajtit një destinacion turistik i arritshëm dhe tërheqës
Mars 01, 2016

