Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri - "Në fillim vitet ’90, shqiptarët kanë ikur për tu arratisur nga Shqipëria. Sot e shohim Bashkimin Evropian si një horizont ku duam të shkojmë ende, sepse vleresojmë standardin më të mirë të jetës, procedurat më të hapura dhe më të mira, funksionimin e ligjit, cilësinë më të mirë të jetesës, shëndetit, mjedisit, etj. Në reflektimin si qytetar, ndryshimi në Shqiperi, në këto 25 vjet, është i dukshëm.
Objektivi drejt BEsë është pjesë e përbashkët e gjuhës së përditshme të politikës, madje edhe të qytetarit shqiptar. Në një perceptim publik të bërë prej Qendrës Rajonale të Mjedisit në bashkëpunim me partnerët tanë në tetor të 2015-tës, 50.4% e qytetarëve u përgjigjën se burimi më i besueshëm i informacionit janë institucionet e Bashkimit Evropian. Do të kisha dashur që kjo shifër të ishte më shumë për institucionet vendore dhe qendrore të vendit, por kjo nga ana tjetër na tregon pritjen e qytetarëve shqiptarë, si një lloj besimi ndaj BEsë për sigurinë, transparencën dhe demokracinë që duhet të ndërtojmë.
Reformat që janë bërë tani kanë prekur një sërë sektorësh të vendit. Disa prej tyre kanë ndikim të prekshëm, disa të tjera ende nuk e kanë reflektimin te jeta dhe mirëqenia e qytetarit. E përmirësuar ështe cilësia e disa shërbimeve, megjithatë standardi i përgjthshëm ka të bëjë me punësimin më të mirë, një shërbim shëndetësor më cilësor, një mjedis më të shëndetshem.
Ky horizont përbën një rrugë të gjatë, që qytetari ta prekë dhe ta shohë atë në të njejtin standard me vendet e BEsë.
Dua të theksoj se një ecuri të mirë dhe të prekshme te programeve të BEsë kam parë në mobilitetin e ekspertëve dhe të njerëzve. Programet nderkufitare kanë sjellë shumë shkëmbime komunitetesh, modele, ide të reja, jo vetëm për kategoritë e mirëedukuara të qytetarëve, por sidomos në nivelin vendor.
Sfida e së ardhmes ështe si mund ti sjellim projektet e BEsë më afër qytetarit. Pritja është shumë e madhe. Ndaj gjendemi të shtrenguar që financimet e pakta ti kanalizojmë në sa më shumë nevoja të qytetarëve. Produktet jo afat gjata nuk ndihmojnë në ndryshimet reale që qytetarët të përgjigjen më pas se ndryshimi është i prekshëm dhe i dukshëm”.
Kjo konferencë u organizua me rastin e ceremonisë së mbylljes së projektit Instrumenti Lehtësues për Përgatitjen e Projekteve (PPF), të financuar nga BE dhe ADC. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Z. Mihallaq Qirjo, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri.
Bashkimi Europian ka financuar në Shqipëri një sërë projektesh të cilat synojnë përafrimin e vendit tonë me standartet e vendeve Europiane me nje vlerë 1 miliard e 161 milion euro prej 2007 të akorduara dhe të angazhuara për t’a asistuar vendin me reforma deri ne 2020.
Gjatë konferencës të gjithë të ftuarit në panel dhanë mesazhin dhe këndvështrimin e tyre rreth qasje shqiptare ndaj BE-së.
Ambasadorja e Bashkimit Europian, Znj. Romana Vlahutin tha se Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa reformat dhe ne kemi muaj që diskutojmë reformën në drejtësi. Ka shumë gjëra për të bërë.
Ministrja shqiptare e Integrimit, Znj. Klajda Gjosha, vuri theksin në realizimin e reformës në drejtësi, por edhe në vullnetin politik për ta finalizuar.
Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Znj. Majlinda Bregu u shpreh se dëmi më i madh që i bëhet këtij procesi është pikërisht mosbesimi që ne kemi me njëri-tjetrin.
Ministri për Evropën Integrimin dhe Punet e Jashtme i Republikës së Austrisë, Z. Sebastian Kurz dha shpresë se 2016 mund të jetë vit i suksesshëm nëse arrihen reformat e duhura në sektorin e drejtësisë dhe shtoi se Austria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë."
“Mbështetja e BE-së dhe qytetarët shqiptarë- një perspektivë rajonale”
Shkurt 11, 2016

