Shqipëria, si vend në zhvillim, dhe me një prioritet të qartë kombëtar drejt rritjes ekonomike ka anashkaluar shpesh mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në lidhje me këtë tematikë më datë 15 dhjetor, u organizua nga Institucioni i Avokatit të Popullit, në zbatim të projektit “Mbështetja e Qeverisë së Danimarkës për Avokatin e Popullit Shqiptar – më pranë komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe medias (2012-2015)” dhe Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri një auditorium me temë ”Zhvillimi ekonomik i vendit dhe harmonizimi me politikat mjedisore”. Në këtë auditorium ishin të pranishëm Avokati i Popullit, Z. Igli Totozani, Drejtori i REC Shqipëri Z. Mihallaq Qirjo, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe atyre të linjës si dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Në fjalën përshëndetëse, Z. Qirjo theksoi se problemet mjedisore janë të zgjidhshme dhe ndërkohë nuk është e pamundur ecja krah për krah e zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e mjedisit, bazuar edhe në monitorime në nivel kombëtar qytetarët janë pro mbrojtjes së mjedisit. Po ashtu Avokati i Popullit Z. Totozani theksoi faktin se institucioni që ai drejton është përfshirë vazhdimisht në mbrojtjen e qytetarëve kur kanë pasur probleme që lidhen me mjedisin. Ky Institucion është i hapur për bashkëpunim me shoqërinë civile mjedisore, si për pjesën e problematikës që ato mund të parashtrojnë ashtu dhe për ekspertizës që ato ofrojnë.
Më pas, pati një diskutim të shkurtër prej panelistëve nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në lidhje me nismat e ndërmarra nga këto institucione në lidhje me përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë të Bashkimit Evropian si dhe nga Z. Xhemal Mato dhe Z. Sazan Guri, si përfaqësues të shoqërisë civile, në lidhje me problematikën mjedisore, reagimin e autoriteteve shtetërore ndaj problematikës mjedisore dhe adresimin e moszbatueshmërisë së ligjit.
Më pas diskutimet vazhduan me përfaqësues të shoqërisë civile nga salla të cilët nxorrën në pah disa nga çështjet më të mprehta mjedisore të kohëve të fundit dhe sesi janë adresuar ato nga shoqëria civile dhe autoritetet shtetërore. Në fund të takimit përfaqësuesit e Avokatit të Popullit u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe u propozua që mbledhje të ngjashme të mund të mbahen me intervale më të rregullta për të diksutuar në lidhje me problematikën mjedisore në Shqipëri.
Takim me shoqërinë civile për zhvillimin ekonomik të vendit dhe harmonizimi me politikat mjedisore
Dhjetor 15, 2015

