Vit pas viti jemi duke parë dhe ndjerë ndryshimin e klimës tonë. Po shohim akullnajat të shkrijnë, nivelin e detit të ngrihet dhe stuhitë që bëhen gjithmonë e më të ashpra. Ndërsa ne e shikojmë këtë realitet të ri që transformon çdo ditë jetën tonë, ata që janë vendimmarrës për politika të reja pro energjive të pastra ende vazhdojnë të qëndrojnë pasivë.
Por tani është koha jonë për të qëndruar dhe shikuar drejt tyre - në 13-14 nëntor, Projekti “24 ORË TË REALITETIT” në një transmetim të drejtpërdrejtë për 24 orë në mbarë planetin, sjell përpara këtyre vendimmarrësve të gjithë globin. Nismës së përvitshme të ish-zv.presidentit amerikan Al Gore këtë vit i janë bashkuar shumë artistë, këngëtarë dhe personalitete me influencë, si dhe miliona njerëz nga gjithë planeti për një ditë globale të veprimit dhe muzikës, për të festuar progresin në të gjithë kontinentet dhe për të dërguar një mesazh të qartë për udhëheqësit e botës: NDËRMERRNI MASAT E DUHURA PËR KLIMËN TANI, SOT!
Ky është momenti ynë. Bisedimet e klimës që pritet të zhvillohen në Paris prej 30 nëntorit deri më 8 dhjetor të këtij viti po afrojnë, një moment i madh kthese është më në fund në dorën tonë. Tashmë skena është gati dhe është pikërisht momenti i duhur për liderët e të gjithë botës për të vepruar. Gjithë bota ka kthyer sytë drejt tyre, të gjithë njerëzit e këtij planeti po i vëzhgojnë. Bashkohu edhe ti me ne!
Qendra Rajonale e Mjedisit mirëpriti të premten e kaluar më datë 13 nëntor një grup nxënësish nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ku tematika e diskutimit ishte rreth ndryshimeve klimatike dhe aktivitetit global 24 Orët e Realitetit. Në zyrën e REC Shqipëri ata janë njohur me axhendën e “Bota po ju Vëzhgon”, materiale audiovizive për alarmin që paraqesin ndryshimet klimatike dhe Love Song To The Earth që është këtë vit kolona zanore e thirrjes për veprim për të ruajtur Tokën. Ajo përshkruhet si kënga me fuqinë për të luftuar ndryshimet klimatike dhe me fuqinë për të ndryshuar botën. Çdo herë që kënga blihet, transmetohet ose ndahet me të tjerë, të ardhurat shkojnë drejt organizatës mjedisore Miqtë e Tokës në përpjekjet e tyre për ruajtjen e lëndëve djegëse fosile, për uljen e shkarkimeve të karbonit dhe për veprimtaritë e Fondacionit të Shteteve të Bashkuara për të frymëzuar veprim ndërkombëtar për ndryshimet klimatike, prandaj Love Song To The Earth më pas, është shpërndarë disa herë në rrjetet sociale që disponojnë të rinjtë.
Përpos mesazheve nga e gjithë bota, nxënësit gjithashtu kanë shkruar mesazhet dhe arsyet e tyre pse janë të interesuar për realitetin e ndryshimeve klimatike dhe motivimin e tyre për të ndjekur aktivitetin në vijim.
Qendra Rajonale e Mjedisit, më vonë gjatë së premtes ftoi ish-praktikantët e saj dhe të rinj nga aktivitetet e mëparshme, për të ndjekur së bashku direkt, aktivitetin 24 orësh më të ndjekur botëror në të gjithë historinë, World Is Watching 2015- Bota Po ju Vëzhgon 2015. Ky transmetim global vjen vetëm disa javë përpara se udhëheqësit e botës të takohen në tryezën e bisedimeve në Paris, për samitin e rëndësishëm dedikuar ndryshimit të klimës.
Ish-zv. presidenti amerikan Al Gore, artistë, njerëz me influencë dhe miliona njerëz në të gjithë planetin bashkohen në ditën globale të veprimit dhe muzikës për të festuar progresin në të gjithë kontinentet dhe për të dërguar një mesazh të qartë për udhëheqësit e botës: të marrin masa për klimën TANI!
Së bashku dërguam mesazhe të qarta për liderat botërorë që të marrin masa për klimën dhe të gjitha thirrjet tona dhe thirrjet nga e gjithë bota u pasqyruan në platformëm online dedikuar aktivitetit.
13 nëntori ishte një ditë për të bërë historinë e ndryshimeve klimatike, edhe pse në mesnatë transmetimi direkt u ndërpre për shkak të tragjedisë në vendin pritës për samitin e klimës, Parisit.

