Punojmë sëbashku në basenet e Drinit dhe Drinës - Takimi rajonal i programit CRESSIDA

Nëntor 09, 2015

Menaxhimi i ujrave në nivelin vendor vlerësohet i një rëndësie të dorës së parë për të ruajtur burimet ujrore të rajonit. Lumenjtë ndërkufitarë janë burime që përdoren prej komuniteteve që shtrihen në vende të ndryshme, e për rrjedhojë bashkëpunimi nën ombrellën e Direktivës Kuadër të Ujit të BEsë mundëson gjetjen e gjuhës së bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve përgjatë tyre. Në qendrën e konferencave të REC në Szentendre të Hungarisë, nga data 2-6 Nëntor, u zhvillua seminari rajonal në kuadër të programit CRESSIDA “Arritja e përshtatshmërisë për komunitetet vendore për zhvillim të qëndrueshëm në pellgjet ujëmbledhëse ndërkombëtare si ai i lumenjve Drin dhe Drina”, me pjesëmarrës nga 18 bashki nga rajoni, përfaqësues të lartë dhe profesionistë të Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit USEPA, të REC si dhe lektorë dhe ekpertë nga vende të ndryshme të Evropës.

Nga gjashtë vende të rajonit, 18 bashki (Shkodra, Peshkopia, Bijelo Polje, Foca-Ustikolina, Goradze, Ljubovija, Novo Goradze, Dibra, Dibra e Madhe, Ohri, Bogatic, Berane, Zvronik, Mojkovac, Gjakova, Istog, Kukësi dhe Rahoveci), 9 për secilin pellg ujëmbledhës, janë angazhuar në vlerësimin e gjendjes mjedisore të lumenjve. Ata kanë renditur problematika të përbashkëta dhe do të propozojnë zgjidhje të mundshme duke zhvilluar dhe zbatuar projekte/metodologji në sektorin e ujit. Ndër problemet që do të adresohen përmes bashkëpunimit vendor janë përmbytjet, ndotja nga mbetjet dhe ujërat e zeza, ndotja nga kimikatet, keqpërdorimi i tokës, erozioni, dhe shpyllëzimet.

Një burim ujor është një pasuri e padiskutueshme, burim i jetës dhe zhvillim për njerëzit. Kësisoj ai duhet trajtuar si i tillë, të respektohet dhe të trajtohet me kujdes, në mënyrë që të vazhdojë të jetë burim i jetës dhe për brezat në vijim. Ne të gjithë bashkë, pavarësisht kufinjve të shteteve bashkohemi nën të njëjtin qëndrim: uji do menaxhohet në dobi të të gjithë palëve, natyra dhe cilësia e tij nuk preket as tjetërsohet, ky ishte qëllimi i takimit shumëpalesh një javor për zhvillim të qëndrueshëm në basenet ujëmbledhës të lumenjve Drin dhe Drina, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit.

Programi do të ndjekë nga afër njësitë vendore në përpunimin e ideve dhe mbështetjen teknike e financiare për realizimin e tyre. 

: 564 views