Shqipëria: Raporti i modelimit për dekarbonizimin e sektorit energjitik

Tetor 26, 2015

Investimet për të rritur kapacitetet gjeneruese në Shqipëri janë të përqëndruara në teknologjitë hidroenergjetike. Me ndryshimet klimatike, shqetësimi për të siguruar sasinë e nevojshme të energjisë është në rrritje sidomos në vite të thata. Vendi duhet të zvogëlojë varësinë nga burimet hidrike, të cilat janë mjaft të ndjeshme prej kushteve metereologjike Modelimi i tendencave të këtij sektori vlerëson skenarët deri në vitin 2030 duke vlerësuar kërkesën kundrejt cmimit jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë rajonal e më gjerë.

REC organizoi më 26 tetor takimin kombëtar për prezantimin themelor të rezultateve të projektit SLED. Objektivi kryesor i projektit SLED (Përkrahje për Përmirësimin e Uljes së Emetimeve në Evropën Juglindore: Modelimi i Dekarbonizimit në sektorin energjitik) është të ndihmojë politikëbërjen në vendet e synuara (Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) për vendosjen e objektivave realistë, por ambiciozë në rrugëtimin e dekarbonizimit të sektorit energjitik deri në vitin 2030. Zhvillimet e politikave duhet të bazohen në evidenca, duke u mbështetur sa më shumë që të jetë e mundur në rezultatet sasiore të modelimit të planeve të veprimit në të ardhmen.

Qëllimi i SLED është t’i mbështesë vendet e synuara me një ushtrim modelimi dhe përmes një procesi të vazhdueshëm konsultimi për t’iu mundësuar politikëbërësve të përdorin këtë plan vlerësimi sipas nevojave të tyre për zhvillimet në sektorin e energjisë dhe për zhvillimin e strategjisë së klimës në të ardhmen. Gjatë ushtrimit të modelimit, alternativa të tilla si përmirësimi i efikasitetit të furnizimit me energji, përshpejtimi i mënjanimit të impianteve të vjetër të energjisë, rritja e përdorimit të burimeve të rinovueshme, ndryshimi i karburantit dhe zhvillimet e rrjetit janë vlerësuar nga perspektiva e efektivitetit ekonomik dhe uljes së sasisë së shkarkimeve të gazeve serrë, me qëllim për të ndihmuar në ndryshimin e politikave të ardhshme mjedisore të Shqipërisë

Rezultatet janë jashtëzakonisht të rëndësishme në zhvillimin e sinergjive të ardhshme dhe vlerësimin e tendencave në të ardhmen për dekarbonizimin në sektorin energjitik dhe atë të ndërtimit.
Në takim morën pjesë të gjithë aktorët e sektorit si Ministria e Energjisë, Ministria e Mjedisit, OSHE, OST, donatorët e sektorit, OJF, ekspertë të sektorit, kërkues dhe akademikë.

Raporti përfundimtar do të paraqitet së shpejti në faqen e REC Shqipëri në Anglisht dhe Shqip.

: 1,186 views