25 vite tranzicion dhe zhvillim ekonomik u shoqëruan me rritje të konsumit dhe futjes së parimeve globale të tregut dhe mallrave. Këto zhvillime sollën një nevojë të ngutshme për trajtimin e mbetjeve nga konsumi, të cilat në shkallën e paraqitur ishin dhe mbeten akoma një sfidë për Shqipërinë.
Për të adresuar nevojën për largimin e mbetjeve një numër i madh fushëdepozitimesh u hapën në mënyrë legale dhe jo-legale në të gjithë vendin. Pothuaj çdo njësi vendore (373) hapi një gropë për depozitimin e mbetjeve dhe këtyre iu shtuan dhjetra të tjera të hapura apo improvizuara nga gjeneruesit e mbetjeve.
Numri i tyre, sasia e mbetjeve dhe gjendja janë akoma të panjohura ose të padokumentuara plotësisht, ndërkohë që detyrimi për t’i trajtuar është i ngutshëm. Gjithashtu, njohja e tyre do të krijojë një panoramë më të qartë për mënyrën e trajtimit dhe kostot financiare e mjedisore që do të lidhen më to.
Mbi këtë nevojë Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Shqipëri në kuadër të përpjekjeve shumëvjeçare dhe shumëdimensionale për reduktimin e dëmit në mjedis mbështet Ministrinë e Zhvillimit Urban në përmbushjen e objektivit për evidentimin e venddepozitimeve të mbetjeve urbane dhe krijimin e hartës së shpërndarjes së tyre në territor për 65 bashkitë e vendit.
Një ekip i përbashkët zhvillon vizita në terren, në territoret e ish-komunave. Ky proces, i cili ka filluar në fund të marsit 2015, ka përfshirë tashmë 27 komunat me popullsi më të lartë në vend, të cilat shtrihen përgjatë vijës bregdetare si dhe zona të tjera me vlera të larta ekologjike.
Çështjet kryesore që diskutohen me përfaqësuesit e pushteteve vendore janë, problematikat specifike për mbetjet urbane si dhe planet e ardhshme, në zbatim të ligjit për reformën territoriale.
Problematikat e hasura lidhen me mungesën e përcaktimit të një venddepozitimi të përshtatshëm, mungesën e infrastrukturës mbështetëse për të mbuluar gjithë territorin me shërbime, vështirësitë në vjeljen e tarifave, si dhe ndërgjegjësimi i ulët i banorëve.
Një nga problemet e evidentuara më shpesh është mungesa e ofrimit të shërbimit të pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve në fshatrat malorë, ku banesat janë të shpërndara dhe ky shërbim rezulton jo efektiv financiarisht. Në raste të tilla mbetjet trajtohen nga vetë familjet nëpërmjet gropave të improvizuara, por nuk mungojnë as rastet e djegjes së pakontrolluar, gjë që krijon ndotje të rrezikshme për shëndetin. Gjithashtu, mungesa e fondeve buxhetore të komunave, ka rezultuar në mungesë të mjeteve të përshtatshme për një administrim më të mirë të mbetjeve.
Mbetet një sfidë e rëndësishme, mënyra e administrimit të mbetjeve dhe venddepozitimeve aktuale nga bashkitë e ardhshme, si dhe gjetja e instrumenteve sa më të përshtatshme për këtë qëllim, që në muajt e parë të hyrjes në punë të administratës së njësive të reja vendore.

