Në zbulim të produkteve dhe traditave vendase në Ditën Botërore të Ushqimit

Tetor 16, 2017 | Nga Loreta Hysa

Më 16 tetor 2017, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri në bashkëpunim me nismën “Buka n’strajc” festuan Ditën Botërore të Ushqimit, së bashku me nxënësit e Shkollës së Kuqe në Tiranë.

Aktiviteti u zhvillua nën moton “më shumë dashuri për produktet vendase” me qëllimin e njohjes së traditës dhe konsumimin e më shumë prodhimeve bujqësore vendase. Prodhimet bujqësore vendase jo vetëm që kanë një gjurmë më të vogël karboni se shumë produkte të importit, por ato mundësojnë dhe përmirësimin e ekonomisë vendase.

Në këtë aktivitet, me ndihmën e shefave që kanë përqafuar nismën “Buka n’strajc” u prezantuan tek fëmijët prodhime të ndryshme familjare të traditës së Tiranës, si reçel, djathë, turshi, lloje të ndryshme buke, etj. të cilat janë shumë të kërkuara jo vetëm mes banorëve vendas por edhe nga turistët e huaj.

Në Objektivin e dytë të Zhvillimit të Qëndrueshëm, theksohet rëndësia që çdo vend ta njohë këtë pasuri të prodhimit të traditës dhe resurset natyrore si dhe ta shfrytëzojë në mënyrë të qëndrueshme për rritjen e të ardhurave ekonomike, duke rritur cilësinë e produkteve të tyre, duke u mbështetur tek tradita dhe veçantia karakteristike e zonës.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të promovimit të ditëve mjedisore të programit ACHIEVE, i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me mbështetjen financiare të BE.