Shqipëria mirëpret edicionin e pestë të Festivalit të Filmit Mjedisor

Tetor 24, 2017 | Nga Loreta Hysa


DOKUMENTA

Mbrojtja dhe promovimi i mjedisit tonë dhe reduktimi i ndryshimeve klimatike nuk është më një alternativë, por një sfidë globale. Për këtë arsye organizojmë edicionin e pestë të Festivalit të Filmit Mjedisor të Shqipërisë (EFFA) që do të mbahet nga 24 deri më 28 tetor 2017, në 14 vende të ndryshme në të gjithë vendin, ku qytetarët do të shijojnë një përzgjedhje interesante të filmave mjedisorë me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, nga e gjithë bota.

Mënyra se si ushqehemi, mënyra se si i trajtojmë qeniet e gjalla rreth nesh, lakmia me të cilën ne po dëmtojmë burimet e ndryshme që na siguron planeti Tokë, pasojat e një logjike të shpejtë dhe dukshëm të pandalshme të prodhimit masiv: këto janë vetëm disa nga të gjitha pyetjet e ngritura në këtë edicion nga 56 filmat, që vijnë nga 30 vende anembanë globit. Që nga edicioni i parë në vitin 2013, Bashkimi Evropian mbështet dhe bashkëfinancon këtë aktivitet në kontekstin më të madh të pranimit të Shqipërisë në BE dhe nevojën për të harmonizuar legjislacionin dhe praktikat e saj me standardet e BE.

Ky edicion i pestë do të organizohet në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër (me mbështetjen e Rrjetit të Informacionit të Delegacionit të BE në Shqipëri), Përmet (me mbështetjen e CESVI), Peshkopi (me mbështetjen e ALCDF), Korçë dhe në Qendrat e Vizitorëve të Agjencive Rajonale për Zonat e Mbrojtura (AdZM) të Parkut Kombëtar të Shebenikut (Librazhd), Llogara dhe Divjaka, me përkrahje të veçantë nga Natura 2000, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri REC, IBECA dhe bashkitë e përfshira në këtë maratonë aktivitetesh.

Sidoqoftë, Festivali i Filmit i takon të gjithë shoqërisë civile, të gjitha institucioneve publike dhe private, të cilat kanë vullnetin për të kontribuar në mënyrë aktive për ta bërë këtë vend më të mirë për të jetuar. E ardhmja jonë varet nga aftësia jonë për të ruajtur habitatin tonë, kulturën, ajrin dhe ujin tonë, pyjet tona.

Le të përmirësojmë së bashku cilësinë e jetës sonë!

Katalogu i filmave