Dita Botërore e Qyteteve në Tiranë

Nëntor 01, 2017 | Nga Loreta Hysa

Gjatë lojës urbane


Më 31 tetor 2017, tek instalacioni “Reja” në kryeqytet, në bashkëpunim me ekspertë mjedisi, urbanistike, arkitekturë, dhe transporti u zhvillua aktiviteti për Ditën Botërore të Qyteteve. Lojëra mbi urbanistikën dhe biodiversitetin në qytet dhe bashkëbisedime mbi përvojat më të mira për ta bërë Tiranën qytet më të mençur ishin kryefjala e kësaj dite.

Qytetarët që luajtën lojën urbane, patën mundësinë ta zhvillonin qytetin nga e para në bazë të funksionit të ndërtesave që gjithësecili zgjodhi në zarfat sekretë. Përfundimi ishte jo larg realitetit kaotik që kemi sot, me ndryshimin e vetëm se në realitet nuk mund t'i zhbëjmë gabimet aq thjesht sa në letër.

Mendoni sa na e thjeshton jetën komunikimi, bashkëpunimi dhe ndarja e njohurive, pa humbur zellin për t'i bërë gjërat shpejt dhe të parët, siç ndodhi edhe sot.Ndërsa ata që u përfshinë në lojërat mbi biodiversitetin, dalluan lloje kafshësh që shohim gjithmonë e më rrallë në qytet.

Për të gjithë ata që u përfshinë në lojërat tona, dhuruam librin Akupunktura Urbane të Jaime Lerner, me përkthim nga Diane Mile.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të festimit të ditëve mjedisore të programit ACHIEVE, i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Politikave dhe Edukimit të Bashkisë Tiranë.