Menaxhimi i mbetjeve në Dibër - një model dialogu konstruktiv

Nëntor 13, 2017 | Nga Bashkia Dibër

Gjatë forumit të dialogut “Promovimi i modelit të menaxhimit të mbetjeve"

Gjatë vizitës së Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi në Dibër, më datë 11 nëntor 2017 u organizua forumi i dialogut me temë “Promovimi i modelit të menaxhimit të mbetjeve".

Në këtë aktivitet morën pjesë qytetarë të shumtë, administratorë, kryepleq, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të administratës. 

Përfaqësuesit e Bashkisë shpjeguan arritjet dhe sfidat që shoqëruan zbatimin e projektit “Fuqizimi i sistemit të menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Dibër“ dhe “Rehabilitimi i fushës së mbetjeve urbane të bashkisë Dibër”, financuar nga DLDP decentralization and local development programme (projekti për decentralizimin dhe zhvillimin vendor) dhe mbështetjen teknike të Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri.

Në zbatim të këtij projekti u hartua dhe miratua dokumenti strategjik “Plani për menaxhimin e integruar të mbetjeve  të ngurta urbane “ për të gjithë Bashkinë e re, si dhe u investua në  infrastrukturën vendore për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve (195 kontenierë  të rinj dhe një makinë teknologjike) si dhe u rehabilitua fusha e mbetjeve urbane  të qytetit .

Në fjalën e tij të rastit Ministri Klosi shprehu nevojën dhe domosdoshmërinë për pastrimin jo vetëm të Dibrës por të gjithë Shqipërisë. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për mbajtjen pastër jo vetëm të mjediseve private por edhe të hapësirave publike nëpërmjet angazhimit të tyre në këtë proces.

Pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre në lidhje me këtë problem të rëndësishëm. Gjatë bashkëbisedimit u kërkua mbështetja e Ministrisë për të ndihmuar bashkinë në mënyrë që ti jepet zgjidhje më afatgjatë me studime dhe investime në fushën e menaxhimit të mbetjeve.