E drejta për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit në vëmendjen e gjyqtarëve dhe juristëve administrativë

Nëntor 10, 2017 | Nga Loreta Hysa

Shqipëria dhe vendet e rajonit po përballen me një presion të shtuar prej publikut dhe shoqërisë civile, të cilët kanë ngritur zërin e tyre ndaj një sërë investimesh të cilat vlerësohen me ndikim negativ në mjedis.

Në dy vitet e fundit, vihet re një maturim i shoqërisë civile mjedisore dhe organizatave të komunitetit të cilat kanë cuar në gjykatë një numër cështjesh si investimet për instalime hidroenergjitike në lumenj e përrenj, bazuar në mangësitë lidhur me informimin dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.

Raste të tilla si investimet mbi Vjosë dhe Valbonë kanë tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Nga ana tjetër vendimmarrja e gjyqësorit ka ngjallur një sërë protestash të komuniteteve të prekura.

Konventa e Aarhusit dhe tre shtyllat e saj kryesore  e drejta për të marrë informacion, e drejta për pjesëmarrje publike dhe e drejta për t’iu drejtuar gjykatës ishin fokusi kryesor i trajnimit dy ditor, të organizuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) në datat 9-10 nëntor 2017, në Tiranë, Shqipëri.

Trajnimi mblodhi së bashku gjyqtarë dhe ekspertë ligjorë nga Shqipëria dhe nga Kosova, duke qenë një mundësi për të kuptuar më mirë kërkesat e Konventës së Aarhusit për t’iu drejtuar gjykatës në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin kombëtar përkatës.

Zbatimi i Konventës së Arhusit është shprehje e plotë e zbatimit të parimeve të demokracisë. Rajoni mund ta përdorë atë si një tregues të mirë të zhvillimit të sistemit gjyqësor dhe maturimit të shoqërisë civile” - tha në fjalën e hapjes Z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri.

Takimi u përshëndet, gjithashtu, nga z. Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri; z. Sokol Sadushi, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri; z. Valon Kurtaj, Drejtori i Akademisë së Drejtësisë në Kosovë; znj. Ornela Çuçi, zv. Ministre e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri.

“Problematikat mjedisore kanë marrë jo vetëm një dimension vendor dhe kombëtar. Ndryshimet klimatike e kanë shtrirë debatin mjedisor në mbarë globin duke theksuar detyrimet që cdo vend në përmbushje të marrëveshjeve ndërkombëtare mjedisore”, tha z. Zaganjori.

Znj. Çuçi u përqëndrua në rolin më të madh që duhet të ketë publiku krahas institucioneve ligjzbatuese në denoncimin dhe dënimin e krimit mjedisor.

Përgjatë dy ditëve të trajnimit, eksperti ndërkombëtar z. Jerzy Jendroska dhe eksperti shqiptar z. Erjon Muharremaj, sollën për pjesëmarrësit raste studimore konkrete dhe çështje gjyqësore demonstrative për të treguar aspektet më problematike lidhur me të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet mjedisore.

Trajnimi shërbeu si një platformë ndëraktive për shkëmbimin e përvojave, duke dhënë një vështrim më të detajuar se si funksionon e drejta për t’iu drejtuar gjykatës në Bashkimin Evropian dhe në vendet e tjera dhe duke adresuar vështirësitë dhe mangësitë më të mëdha në zbatimin e së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës dhe zgjidhjet për pakësimin ose heqjen e barrierave për ushtrimin e të drejtës për t’iu drejtuar gjykatës

Ky trajnim është pjesë e një sërë trajnimesh rajonale që po organizohen në vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore, në Kaukaz dhe në Azinë Qëndrore si dhe në vendet fqinje të Bashkimit Evropian, me mbikqyrjen e Agjencisë Gjermane të Mjedisit (UBA), në kuadër të Programit të Asistencës Këshillimore për Mbrojtjen e Mjedisit (AAP), Ministrisë së Mjedisit në Republikën Federale Gjermane.

Më shumë informacion gjeni këtu.