Ndërtimi i Partneritetit Publik Privat për një Zhvillim të Qëndrueshëm të Turizmit

Nëntor 27, 2017 | Nga Mihallaq Qirjo & Daniela Ruçi

Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm është në gjendje të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe vetëdijes për vlerat e natyrës dhe të krijojë mbështetje publike për ruajtjen e këtyre sistemeve natyrore. Nën kushte të caktuara, turizmi mund të jetë gjithashtu një mekanizëm novator zvogëlimin e varfërisë për komunitetet që jetojnë pranë zonave turistike. Rritja e turizmit të qëndrueshëm sot nuk pasqyron vetëm realitetet mjedisore, por edhe një dëshirë nga vetë turistët për të përqafuar eko-turizmin apo turizmin e gjelbër.

Mbi këtë tematikë, më 24 nëntor, u mbajt në Vlorë Konferenca e Parë për Zhvillim të Qëndrueshëm, fokusuar në ndërtimin e Partneritetit Publik Privat për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, ndikimin e zonave rurale për zhvillimin e qëndrueshëm, rolin e politikave orientuese dhe politikat fiskale si një instrument nxitjeje, së bashku me sfidat për të ardhmen dhe raste e projekte konkrete në analizë.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Leli iu referua në fjalën e tij Bashkisë së Vlorës si udhërrëfyese drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, ndërsa Prof. Dr. Mihallaq Qirjo, drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri paraqiti për të pranishmit në konferencë potencialet e ligatinave për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, duke iu referuar modelit të sistemit lagunor Kune-Vain, i cili ofron një shumëllojshmëri vlerash dhe shërbimesh ekosistemi tepër të vlefshme jo vetëm për komunitetin që banon pranë tij, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, klimës mesdhetare, burimeve ujore dhe peisazhit natyror.

Gjatë 2018-2019, REC Shqipëri do të hartojë dhe zbatojë fushata ndërgjegjësuese në nivel kombëtar dhe vendor si dhe organizimin e aktiviteteve të veçanta në shkolla, lidhur me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe avantazhet e zbatimit të praktikave të ripբrtëritjes së bazuar në ekosistem.

Modelet klimatike globale parashikojnë zvogëlimin e sasisë së reshjeve, duke cuar në rritjen e kripësisë në lagunë me efekte të dëmshme për sektorin e peshkimit. Deri në 2100, ritmi i rritjes së nivelit të detit do të jetë më i lartë (deri në 61 centimetra) duke çuar në rritjen e erozionit dhe humbjen e vazhdueshme të habitatit brenda sistemit lagunor të Kunë Vainit. Sidoqoftë, marrëdhënia midis turizmit dhe ligatinave është komplekse dhe ka nevojë për qasje që bazohen në parimet natyrore me ndërtimin e disa ekuilibrave të rinj midis njeriut dhe natyrës.

Gjatë verës, laguna vizitohet mesatarisht prej rreth 100 turistë në muaj, të cilët fokusohen vetëm në turizmin e plazhit. Nuk ka asnjë ndërmarrje të orientuar për ekoturizëm dhe anëtarët e komunitetit vendor nuk kanë marrë asnjë trajnim për zhvillimin e ekoturizmit apo nxitjen e sipërmarrjeve të vogla që mbështesin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Rritja e shpejtë e numrit të popullsisë dhe gjendja jo e mirë ekonomike e banorëve që jetojnë në këtë zonë ka çuar në një rritje të presionit në lagunë duke çuar në ndryshime të paplanifikuara në zonën e ashtuquajtur “tampon” që rrethon lagunën.

* Fondi i Veçantë për Ndryshimin e Klimës (SCCF) ka miratuar fonde për zbatimin e projektit "Ndërtimi i resiliencës së Kune-Vainit". Projekti synon të rrisë kapacitetet e qeverisë dhe komuniteteve vendore që jetojnë pranë SLKV për t'u përshtatur me ndryshimet klimatike duke përdorur një sërë ndërhyrjesh adaptuese të integruara, duke përfshirë një qasje të bazuar në ekosistem.