Dajti n'Fest: Jehonë Ditës Ndërkombëtare të Maleve

Dhjetor 12, 2017 | Nga Loreta Hysa

Me dëborën e parë në Dajt i dhamë jehonë Ditës Ndërkombëtare të Maleve! Dajti n'Fest 2017 ofroi për qytetarët e Tiranës gjatë kësaj fundjave mundësi pa fund argëtimi, ndërsa banorët e zonës patën mundësi që të ekspozonin dhe të shisnin produktet e tyre agroushqimore. Muzikë, gara road-bike, hiking në një shteg të ri, hedhje me parashutë, fluturim me balonë, folk, rock climbing, ishin disa nga surprizat që organizatorët kishin menduar si mundësi argëtimi për pjesëmarrësit e shumtë që pëlqejnë turizmin malor dhe sportet ekstreme.

Të apasionuarit pas sportit ekstrem të hedhjes me parashutë nuk ka nevojë të udhëtojnë deri në Llogara për të ushtruar pasionin e tyre. Tashmë, edhe Tirana ka një pistë të vetën të hedhjes me parashutë në malin e Dajtit, nga ku mund të fluturojnë të gjithë parashutistët profesionistë apo edhe ata që kërkojnë të provojnë adrenalinën që të jep ky lloj sporti.

Pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të mbrojtura (AKZM), me mbështetjen e Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) Shqipëri, UNDP, NaturAl dhe një sërë shoqatash kulturore dhe sportive, u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe shumë qytetarë të Tiranës që kishin zgjedhur që ditën e maleve ta kalonin në “Dajti n’Fest”.

Kryebashkiaku Veliaj ndër të tjera theksoi se çdo nismë apo investim që sjell zhvillimin e sportit i shërben në radhë të parë të gjithë atyre të rinjve dhe rejave që kohën e lirë duan ta kalojnë duke u marrë me aktivitete fizike.

Ndërsa, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se nisma të tilla nxisin edhe më shumë zhvillimin e potencialit turistik, ndërsa theksoi se turizmi mbetet një prioritet për qeverinë.

Dita Ndërkombëtare e Maleve është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e maleve në jetën tonë dhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të maleve. Dita Ndërkombëtare e Maleve ka fillesat e saj në 1992, kur u miratua kapitulli i 13 i Axhendës 21 “Menaxhimi i Sistemeve Delikate: Zhvillimi i Qëndrueshëm i Maleve” në Konferencën e OKBsë për Mjedisin dhe Zhvillimin. Pas suksesit që pati Viti Ndërkombëtar i Maleve në 2002-in, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 11 Dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Maleve.

 

: 585 views