Ligatinat shqiptare: pasuri natyrore në fokusin e të rinjve

Shkurt 07, 2018

Në kuadër të Ditës Botërore të Ligatinave, me moton "Ekosistemet ligatinore për një të ardhme të qëndrueshme urbane", Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier dhe Lezhë, organizoi disa aktivitete me studentë dhe të rinj aktivistë të shoqërisë civile. Aktivitetet u zhvilluan në dy prej ekosistemeve më të rëndësishme ligatinore të vendit: në Lagunën Divjakë-Karavasta dhe në Lagunën Kune-Vain.

Fushatat sensibilizuese janë shtuar në Shqipëri, për të tërhequr më shumë vëmendje rreth këtyre “magneteve” turistikë. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë dhe vlerën e këtyre sistemeve, jo vetëm si ekosisteme me një larmi të madhe biologjike, por dhe si potenciale të rëndësishme në zhvillimin e turizmit natyror.

Për të njohur më shumë brezin e ri të studentëve dhe aktivistëve mjedisorë me ekosistemet ligatinore të vendit tonë, u organizuan në këtë ditë vizita në lagunën e Kune-Vainit dhe në lagunën e Divjakë-Karavastasë. Të rinjtë, krahas njohurive mbi vlerat dhe rëndësinë e lagunave, dhanë ndihmesën e tyre në pastrimin e territorit të lagunave, së bashku me punonjësit e AdZMve, duke krijuar një sinergji të dobishme me fushatën kombëtare “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”.

Aktivitete të tilla ndërgjegjësuese tërheqin vëmendjen e publikut ndaj këtyre zonave të veçanta, të cilat shpeshherë harrohen nga vendasit. Duhet të përpiqemi që të mos investohet vetëm tek plazhet apo zonat arkeologjike, pasi lagunat e vendit tonë janë pasuri natyrore, që jo vetëm duhen ruajtur, por duhet kontribuar për shtimin e vlerave që ato kanë. Zgjidhja nuk qëndron vetëm në krijimin e një rruge automobilistike për të përshkuar në lagunë. Përkundrazi duhet t’u qëndrojmë larg zgjidhjeve të tilla, pasi më shumë e dëmtojnë këtë mjedis natyror sesa e ndihmojmë të zhvillohet. Krijimi i pedonaleve, shtimi i biçikletave ose autobusëve të vegjël elektrikë do të krijonte një mjedis më mirëpritës ndaj turistëve dhe do të ishte një zgjidhje më paqësore ndaj “banorëve” autoktonë të zonës - shpendëve dhe kafshëve.