Siguria ushqimore për mbrojtjen dhe mirëqenien e popullatës. Trajnim dy ditor me përfaqësues të Shoqërisë Civile për Mjedisin në Shqipëri

Mars 27, 2018 | Nga Eneida Haska, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri

Sëmundjet që vijnë si pasojë e ushqimit janë një problem i parandalueshëm dhe i nënvlerësuar i shëndetit publik. Këto sëmundje janë një barrë për shëndetin e popullatës dhe kontribuojnë ndjeshëm në koston e kujdesit shëndetësor. Ato gjithashtu paraqesin një sfidë të madhe për grupe të caktuara njerëzish. Megjithëse dikush mund të preket nga një sëmundje ushqimore, disa njerëz janë në rrezik më të madh, si për shembull fëmijët më të vegjël se mosha 4 vjeç, të cilët kanë incidenca më të larta të infeksioneve nga disa patogjenë ushqimorë, apo njerëzit më të vjetër se 60 vjeç dhe ata me imunitet të reduktuar që janë në rrezik më të madh për shtrim në spital dhe me pasojë vdekje nga patogjenët që transmetohen nëpërmjet ushqimeve.

Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj tematike për publikun e gjerë, me fokus të vecantë organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mjedisit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e një ushqimi të sigurt, REC Shqipëri organizoi javën e kaluar një trajnim dy ditor me OSHC-të mjedisore në Shqipëri.

Përmes këtij trajnimi, rreth 25 përfaqësues të OSHCve nga qytete të ndryshme të vendit, u njohën nga afër me konceptin e sigurisë ushqimore dhe të ushqimit cilësor, si dhe morën informacion të detajuar për institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe inspektimin e produkteve ushqimore në vend.

Si funksionon inspektimi dhe monitorimi i subjekteve që ndikojnë në sigurinë ushqimore, si realizohet kampionimi i produkteve ushqimore që dërgohen për analiza të mëtejshme, si lidhet rreziku mikrobiologjik me sigurinë ushqimore, etj ishin disa nga temat e trajtuara përgjatë dy ditëve në trajnim, nga lektorë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Gjithashtu, pjesëmarrësit patën mundësi të bëjnë një vizitë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku u njohën me proceset e punës dhe instrumentat e përdorura për gjurmimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive, parazitare në kafshët e tokës, të ujit dhe të shpendëve. Ekspertët e Institutit iu folën të pranishmëve dhe mbi ndikimet mjedisore dhe rreziqet shëndetësore lidhur me ushqimin e sigurt dhe rolin që mund të luajë shoqëria civile për ndërgjegjësimin dhe informimin e popullatës për një ushqim sa më të sigurt dhe më cilësor.

Ushqimi më i sigurt premton jetë më të shëndetshme dhe më të gjata dhe kujdes më të ulët shëndetësor, si dhe një industri ushqimore më elastike.

Trajnimi u organizua në kuadër të programit "Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri (SENiOR-II)", mbështetur nga Qeveria Suedeze, si pjesë e Paketës së Trajnimeve për Menaxhimin Mjedisor, zbatuar nga REC Shqipëri.

: 133 views