Komunitetet e papërgatitura përballë fatkeqësive natyrore

Prill 17, 2018 | Nga Daniela Ruçi

Fatkeqësitë natyrore dhe katastrofat shkaktojnë humbje të konsiderueshme njerëzore dhe ekonomike. Shqipëria është një ndër vendet që preket shpesh nga fatkeqësitë natyrore si dhe ato të shkaktuara nga dora e njeriut. Sipas raportit të riskut botëror për vitin 2017, Shqipëria renditet në vendin e 39-të për rrezikun ndaj fatkeqësive natyrore nga 171 vende të botës të marra në analizë. Shumica e këtyre fatkeqësive nuk mund të parandalohen, por ekziston një mënyrë për të minimizuar rrezikun e këtyre ngjarjeve, siç është shpërndarja e informacionit të vlefshëm dhe të besueshëm për natyrën, shkaqet dhe pasojat e fatkeqësive.

Shpërndarja e informacionit do t'i ndihmojë njerëzit që të kuptojnë më mirë rreziqet dhe rrjedhimisht të mbrohen më mirë. Sot është shumë e rëndësishme të promovohet një kulturë sigurie dhe ndërgjegjësimi mbi pasojat që kanë veprimet apo mos veprimet tona.

Madhësia dhe ndikimi që mund të ketë një katastrofë nuk varet tërësisht nga fenomenet natyrore, pasi aktiviteti njerëzor mund të përkeqësojë ose të lehtësojë rrezikun, për shembull, rëndësia e vendit ku ndërtojmë banesat tona, si i ndërtojmë shtëpitë apo vendbanimet apo se si shfrytëzojmë burimet natyrore. Fatkeqësitë janë ngjarje komplekse dhe problemi i parandalimit dhe i zbutjes së efekteve të tyre ka shumë aspekte, ku padyshim aspekti i informimit dhe i ndërgjegjësimit për to është një nga më kryesorët.

Të gjithë e dimë që rreziku nuk “troket” ndaj ai nuk duhet të trajtohet në mënyrë të rastësishme. Por sa di publiku për situatat e emergjencave civile dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm? Përgjigjen e kësaj pyetje, REC Shqipëri është munduar ta gjejë përmes një anketimi të zhvilluar një vit më parë me titull “Risku është fat apo zgjedhje”.

Një anketim mbarëkombëtar i publikut, që banon në zonë rreziku apo jo, solli një pamje interesante të asaj çka njerëzit dinë apo nuk dinë mbi këto çështje. 85% e të anketuarve pohojnë që i njohin rreziqet që mund të prekin komunitetin e tyre, por ata nuk kanë dijeni për planet e emergjencës dhe rreth 86% e tyre nuk e dinë çfarë përfaqëson Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm apo se cilat janë mjetet e komunikimit të këtij sistemi në nivel kombëtar dhe vendor. Ndërsa pyeten se cili është shkaktari kryesor i fatkeqësive që ndikojnë tek ata dhe komuniteti i tyre, ata mendojnë që shkaku kryesor janë ndryshimet dhe ndërhyrjet e bëra nga njeriu, ndërsa përsa iu përket ngjarjeve natyrore ciklike ato përbëjnë përqindjen më të vogël të përzgjedhjes me vetëm 6.5 % të të anketuarve.

Rreth 40% e të anketuarve kanë qenë banorë të zonave që janë përmbytur të paktën njëherë si Shkodra, Fushë Kruja apo banorë të disa fshatrave të grykëderdhjes së Vjosës, nga të cilët rreth 30.2% e kanë përjetuar personalisht një situatë përmbytjeje. Lidhur me përjetimin e situatës së përmbytjes, të anketuarëve iu është kërkuar të identifikojnë disa nga masat që kanë ndërmarrë në një situatë të tillë. Nga 11 masat e sugjeruara në anketim, përqindjen më të lartë e zë njohja dhe mësimi i numrave të emergjencës (112, 129, 126, 128) me 54.6%. Përqindjen më të ulët apo masa e vlerësuar si më pak e rëndësishme është njohja e autoriteteve vendore përgjegjëse për emergjencën. Institucioni që njihet më shumë në lidhje me menaxhimin e emergjencave civile është Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila mendohet se ka një rol të madh në planifikimin dhe reagimin ndaj emergjencave civile.

Burimi kryesor i informacionit për të mësuarit rreth rreziqeve dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm me 66.5 %, është media, ndërsa edukimi në shkollë me 55% radhitet si mënyra më e mirë për të mësuar dhe për t’u ndërgjegjësuar për çështjet e emergjencave civile. Si mjetet më pak të vlerësuara janë fletëpalosjet me 17% dhe takimet publike.

Të gjithë janë pyetur të zgjedhin nëse risku është fat apo zgjedhje. Kjo pyetje e vendosur jo rastësisht e fundit në anketim, ka pasur si qëllim të kuptuarit më mirë dhe trajtimin e duhur të çështjeve që lidhen me situatat e emergjencave civile. Të anketuarit janë ndarë në përgjigjen e dhënë, ku rreth 40.6% mendojnë që risku është fat kurse shumica e tyre 59.4% mendojnë se ai është çështje zgjedhje.

Përditshmëria jonë na prezanton me një sërë zgjedhjesh të pafundme dhe peshimi i risqeve dhe i përfitimeve relative nuk është aspak e lehtë në kohën e sotme, prandaj shpesh na duhet të marrim vendime bazuar tek njohuritë që kemi, dhe në fund të fundit, fati dhe risku nuk janë vetëm çështje numrash.

A keni menduar ndonjëherë se si do të reagonit ndaj një emergjence? Asnjërit nga ne nuk i pëlqen ta mendojë e aq më pak të ndodhet në një situatë të tillë, por ka ardhur koha që vendin e frikës ta zëvendësojë informacioni dhe parapërgatitja. Si qytetarë ne duhet të kemi informacionin bazë mbi rreziqet dhe masat e duhura që duhet të ndërmarrim, jo vetëm për të parandaluar fatkeqësitë, por edhe për t'u përballur me to nëse ato ndodhin.

Për të adresuar çështjet më sipër, me mbështetjen e Bashkimit Evropian prej një viti është në zbatim programi “Sistemi i Parandalimit të Hershëm dhe Parandalimit të Përmbytjeve në Shqipëri (PRO NEWS)”,"Programme for Improving the National Early Warning System"  i cili synon të rrisë aftësitë ripërtëritëse ndaj përmbytjeve duke forcuar Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm në Shqipëri dhe duke përmirësuar parandalimin e katastrofave në përputhje me praktikat e mira të Bashkimit Evropian.

: 907 views