Programi PRO NEWS i bashkohet festimeve për Ditën e Evropës

Maj 11, 2018 | Nga Genta Hoxha, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri

Në Ditën e Evropës (9 maj), Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Shtetet Anëtare organizuan një sërë aktivitetesh festive, pjesë e të cilave ishte dhe Fshati i BE-së, i pozicionuar në qendër të qytetit të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë të gjitha projektet e financuara nga BE në Shqipëri. Të shpërndarë nëpër tendat e shumta që krijonin ambjentin e një ‘fshati”, projektet prezantonin punën e bërë sipas tematikave përkatëse kushtuar mjedisit, kulturës dhe edukimit, zhvillimit ekonomik dhe bujqësisë, qytetarisë evropiane, të drejtave të njeriut dhe shërbimeve publike, por jo vetëm.

Pjesë e këtij panairi u bë edhe programi PRO NEWS “Përmirësimi i Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm dhe Parandalimit të Përmbytjeve në Shqipëri”, përmes një mori materialesh dhe aktivitetesh dedikuar tërësisht paralajmërimit në kohë dhe marrjes së masave të duhura për përballimin e rrezikut në rast fatkeqësie natyrore, siç janë përmbytjet. Slogani i përdorur në këtë ditë, njëkohësisht dhe slogan i fushatës së ndërgjegjësimit të programit, është “Risku nuk është fat, është zgjedhje!”.

Kuriozitet të veçantë për vizitorët ngjalli stacioni meteorologjik i ngritur enkas në shesh për të demonstruar matjet e vazhdueshme të lartësisë dhe të intensitetit të reshjeve, duke njohur në kohë reale të dhënat e motit. Fëmijët dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare të përfshirë në aktivitet, u bënë pjesë e lojës “në shesh”, e krijuar si një mjet mësimor mbi fazat e ndryshme të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet.

Ishin të shumtë njerëzit që plotësuan pyetësorin në lidhje me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat civile, i cili synon të vlerësojë njohuritë mbi rrezikun dhe të kuptojë se si njerëzit perceptojnë rrezikun në rast të një fatkeqësie. Vëmendjen e qytetarëve që vizitonin fshatin e BE-së e tërhoqi dhe ekspozita me foto dhe rishikime historike të ngjarjeve më të fundit të përmbytjeve në Shqipëri, e ideuar me qëllimin për të treguar dhe për të kujtuar se sa shpesh mund të ndodhë një fatkeqësi natyrore në Shqipëri dhe pasojat që mund të shkaktojë ajo.

Organizatat pjesëmarrëse patën mundësi të diskutonin dhe të shkëmbenin përvojat e tyre në këndin e folësve të BE-së. Programi PRO NEWS u prezantua nga z. Shemsi Prenci, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, i cili e vuri theksin në informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit lidhur me riskun në rast fatkeqësie natyrore dhe reagimin në kohën e duhur.

Programi PRO NEWS zbatohet nga një konsorcium institucionesh ndërkombëtare, që përfshin Mbrojtjen Civile Italiane si koordinator i programit, Shërbimin Meteorologjik dhe Hidrologjik të Kroacisë (DHMZ), Fondacionin Kërkimor CIMA, Qendrën Evropiane për Parashikimin e Motit afat-mesëm (ECMWF), Qendrën Rajonale të Mjedisit (REC) dhe Organizatën Botërore të Meteorologjisë (WMO), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

: 90 views