Mjedisi Sot 156 - Mirëqenie / Konservim

Natyra në shërbim të Komunitetit

Korrik 19, 2018 | Nga Lorela Lazaj, AdZM Vlorë

DOKUMENTA

Zonat e mbrojtura tashmë janë konfirmuar si një mjet i rëndësishëm për ruajtjen e diversitetit biologjik dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo është reflektuar dhe në strategjitë e shtetit shqiptar për promovimin dhe rritjen e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura, krijimin e një institucioni të posaçëm për menaxhimin dhe monitorimin e tyre, si dhe krijimin e rrjetit të qendrave të vizitorëve në zona të mbrojtura.

Shumë shpesh, zonat e mbrojtura kanë në brendësi të tyre komunitete lokale, të cilët në mënyrë të pashmangshme duhet të përshtasin jetesën në përputhje me statusin e zonës dhe me atë çfarë zona e mbrojtur iu ofron. Në këtë pikë, shqetësimi kryesor për menaxherët e këtyre zonave është ofrimi i mundësive alternative të qëndrueshme, të cilat do të ndihmojnë mirëqënien ekonomike dhe të jetesës së komunitetit në këto zona.

Përfitimet e komunitetit nga një zonë e mbrojtur janë të lidhura ngushtësisht me tiparet mjedisore të zonës, ku përfshihen habitatet ujore dhe tokësore në përmbajtje të saj, dhe me zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave përreth. Nëse i referohemi zonës së mbrojtur Parku Natyror “Karaburun”, një nga elementët më identifikues të kësaj zone janë sipërfaqet kullosore. Sipas llojit dhe shtrirjes së kullotave, komunitetit i ofrohet mundësia për të shfrytëzuar në mënyrë të kontrolluar, në bashkëpunim me menaxhuesit e zonës së mbrojtur, këto sipërfaqe. Aktualisht, në këtë zonë të mbrojtur janë kontraktuar 42 familje, të cilat mbështesin jetesën e tyre në rritjen e bagëtive. Ky është një shembull pozitiv se si zona e mbrojtur mbështet komunitetet pranë saj të zhvillojnë veprimtari tradicionale, e cila nga ana tjetër mbështetet nga kërkesa e lartë e bizneseve dhe e vizitorëve për produktet tradicionale në blegtori.

Një shembull i ngjashëm prezantohet edhe në zonën e mbrojtur Peizazh i Mbrojtur “Vjosë-Nartë”. Në përbërje të saj, kjo zonë ka një larmishmëri habitatesh të cilat përfaqësohen mbrekullisht nga dunat ranore, laguna e Nartës, ligatinat, pylli i Pishës, kriporet etj.

Aktualisht Laguna e Nartës përdoret nga 60 peshkatarë, për peshkim kryesisht të llojeve lagunorë si ngjala, koce, levrek etj. Vlen të theksohet se gjithmonë u jepet prioritet në dhënien e lejeve për peshkim komunitetit më të afërt, si grupe interesi më të rëndësishme në menaxhimin dhe mbrojtjen e zonës. Si pjesë e zonës së mbrojtur, numri i familjeve që mund të përfitojnë është i kufizuar, në mënyrë që popullatat e llojeve të përdoruara për peshkim të jenë të qëndrueshme.

Në dy rastet më sipër, shërbimet që zonat e mbrojtura ofrojnë janë lehtësisht të kuptueshme dhe të prekshme për komunitetin, pasi përkthehen lehtësisht në përfitim monetar për ta. Vështirësia qëndron në ato shërbime të cilat ofrohen nga zona e mbrojtur dhe që nuk prekin drejtpërdrejt komunitetin. Në këto raste përfitimet janë të tërthorta dhe lidhen kryesisht me cilësinë e jetesës, të ajrit, të mjedisit ku jetojnë, të ujit të pijshëm etj. I tillë është rasti i dunave të rërës. Banorët, duke mos e kuptuar rëndësinë e tyre në funksion të parandalimit të përmbytjeve, të erërave të forta dhe të erozionit, lejuan dëmtimin e tyre me qëllim ndërtimin e strukturave të plazhit në funksion të vizitorëve. I ngjashëm është dhe rati i zjarreve të qëllimshëm të vendosur nga banorë të zonës me arsyen e rigjenerimit të shpejtë të ushqimit për blegtorinë, por nga ana tjetër banorët nuk janë të ndërgjegjshëm për pasojat e rënda që humbja e bimësisë ka në përshpejtimin e erozionit, në filtrimin e ujit dhe në cilësinë e ajrit.

Në këtë kuadër, roli i administratës së zonave të mbrojtura është thelbësor në drejtim të edukimit, të promovimit të aktiviteteve ekonomike dhe turistike të qëndrueshme, si dhe në parandalimin e praktikave të gabuara të cilat kompromentojnë vlerat dhe shërbimet e ofruara nga zonat e mbrojtura në funksion të mirëqënies së komuniteteve.

: 121 views