24 Hours of Reality - Të mbrojmë planetin, Të mbrojmë veten!

Dhjetor 05, 2018 | Nga REC Shqipëri

Ndryshimi i klimës tashmë po prek botën, përfshirë Shqipërinë. “24 ORË REALITET” është një aktivitet aspak i zakonshëm me fokus ndryshimet klimatike. “24 ORË REALITET” kërkon të informojë çdo njeri në këtë planet për sfidat me të cilat përballet apo do të duhet të përballet si pasojë e ndryshimeve klimatike. Një aktivitet global i cili për të tetin vit radhazi në një mënyrë interesante duke ndërthurur teknologjinë, median sociale dhe njerëzit kërkon të sjellë bashkë planetin në çdo skaj të tij me një qëllim të përbashkët në shërbim të jetës sonë e në të mirë të Planetit Tokë. Një skuadër shumë e madhe njerëzish të zakonshëm, por dhe shumë shkencëtarë, ekspertë të klimës, biznesmenë, ekonomist, inxhinierë, student dhe fëmijë sjellin historitë e tyre reale në lidhje me ndikimet e klimës dhe sfidat e përballjes me të, përmes dokumentarëve, këngëve, fakteve dhe të dhënave shkencore. Të gjitha këto për 24 orë në një transmetim direkt në të gjithë globin për të ndarë me njëri tjetrin ato histori suksesi dhe për të gjetur zgjidhje praktike të qëndrueshme në përmirësim të gjendjes mjedisore të Planetit.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, për të 5-tin vit radhazi mirëpriti këtë aktivitet në Tiranë, duke u bërë pjesë e një aktiviteti ndërkombëtar për të diskutuar efektin e ndryshimeve klimatike mbi vendin tonë të vogël por shumë delikat ndaj ndryshimeve klimatike.

“24 orë Realitet” të Al Gore vjen këtë vit me fokusin tek ndikimet e ndryshimeve klimatike mbi shëndetin njerëzor. Njerëzit e shëndetshëm kanë nevojë për një planet të shëndetshëm. Kjo është arsyeja pse duhet të takoheshim në këtë aktivitet dhe të tregojmë se ne jemi të vendosur që të zvogëlohen shkarkimet e gazrave serrë. Ky mund të jetë dhe rreziku më i madh për shëndetin publik nëpër botë. Shëndeti i familjeve dhe komuniteteve tona është i kërcënuar. Sot të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ndryshimet klimatike po ndryshojnë pamjen e planetit tonë, prandaj ne duhet të veprojmë në mbrojtje të jetës dhe planetit. Moti ekstrem sa vjen edhe bëhet më keq. Sëmundjet infektuese sa vijnë e shtohen. Ushqimi ynë dhe uji i pijshëm janë në rrezik. Pavarësisht këtyre, shumë pak njerëz po flasin për këtë çështje. Është koha që të thyejmë heshtjen dhe t’i shtyjmë liderët tanë dhe njerëzit kudo që të nisin të flasin për këtë problem. Pikërisht këtë gjë bëmë edhe më datë 3-4 Dhjetor, për 24 orë radhazi.

Mirëpritur nga ish presidenti Al Gore, transmetimi drejtpërdrejt në mbarë globin i“24 Orë Realitet: Të mbrojmë planetin, Të mbrojmë veten” ndez alarmin mbi rreziqet që na kanosin jetën dhe shëndetin tonë. Duke ndjekur aktivitetin dhe faktet që ai sjell ne mund të mësojmë më shumë në lidhje me zgjidhjen e kësaj krizë lokale, rajonale e globale dhe të krijojmë komunitete më të shëndetshme duke u munduar të prodhojmë energji të rigjenerueshme, transport të qëndrueshëm, ajër të pastër, duke ricikluar dhe ripërdorur, duke bërë pse jo një jetë të shëndetshme për vete dhe planetin.

Shqipëria, një vend i vogël me një ekonomi të brishtë që mbështetet në shërbimet, sektorët e industrisë dhe bujqësisë, përballet me një varg sfidash në adresimin e rreziqeve të ndryshimeve klimatike.

Dobësia e sektorit të furnizimit të energjisë dhe sektorit të bujqësisë në ndryshimet klimatike, kombinuar me një sërë përmbytjesh të rënda dhe rrëshqitje të dheut, po rritin gatishmërinë për ndryshimin e klimës si një prioritet në planifikimin zhvillimor të Shqipërisë.

Disa nga sektorët më të prekshëm ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike në Shqipëri janë:

  1. Bujqësia, një sektor shumë i ndjeshëm ndaj klimës dhe shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Bujqësia kontribuon me 22.6 përqind në GDP dhe është burimi kryesor i punësimit për popullsinë rurale të Shqipërisë.
  2. Burimet ujore. Shqipëria ka burime të mjaftueshme të ujërave të ëmbla, por ka ndryshime sezonale dhe mungesë efikasiteti të përdorimit të ujit që ndryshimet klimatike mund ta zmadhojnë.
  3. Energjia dhe infrastruktura. Shqipëria mbështetet në pellgun e lumit Drini për më shumë se 90 për qind të furnizimit të saj hidroenergjetik. Ky pellg lumor mund të hasë prurje ujore të reduktuara për shkak të ndryshimeve klimatike që do të ndikonin në furnizimin me energji. Shqipëria tashmë është e ndjeshme ndaj luhatjeve të reshjeve, të evidentuara nga thatësira e vitit 2007 që çoi në mungesa të mëdha të energjisë. Së bashku me dëmtimet në infrastrukturën bregdetare, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet në fusha dhe ultësira shkaktuan dëmtime infrastrukturore në vitet e fundit.
  4. Ekosistemet. Përafërsisht 10 përqind e Shqipërisë është zonë e mbrojtur tokësore ose detare, por rreth 19 përqind e llojeve të florës dhe faunës janë të rrezikuara, pjesërisht për shkak të ndotjes, mbi peshkimit dhe konvertimit të tokës.

Shqipëria aktualisht vuan nga valët e nxehtësisë, thatësira, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet, të cilat mund të përkeqësohen nga ndryshimet klimatike. Erozioni i tokës, shpyllëzimi dhe ndërtimi i parregulluar rrisin efektin negative që mund te kenë ngjarjet ekstreme të motit, sikurse edhe përqëndrimi i komuniteteve në zona urban dhe vendbanimet jo të përshtatshme.

: 49 views