“Laguna e Kune Vainit, një laborator në natyrë për studimin e larmisë biologjike”

Prill 25, 2019 | Nga Mihallaq Qirjo, REC Shqipëri

Ligatinat janë zona me një shumëllojshmëri biologjike të lartë të cilat ofrojnë të mira thelbësore, siç janë mirëmbajtja e përbërjes së atmosferës dhe habitate kryesore për llojet migratore. Lagunat bregdetare mbështesin një biodiversitet të pasur dhe të veçantë, ku mund të gjejmë grupe të ndryshme organizmash. Ato veprojnë si baza për riprodhimin e peshqve dhe jovertebrorëve detarë dhe shërbejnë si zona pushimi për shumë lloje të zogjve migrues.

Në Shqipëri, laguna e Kune Vainit është një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare, toka nën nivelin e detit, pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare dhe toka bujqësore. E pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, sipërfaqja e Zonës së Mbrojtur është 2,300 ha. Laguna e Kune Vainit është një ekosistem natyror-lagunor, si dhe një nga lagunat më të rëndësishme të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Ajo është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, e shpallur e tillë qysh prej 1940-ës. Kjo zonë karakterizohet nga habitate të ndryshme të integruar në një ekosistem të vetëm. Shumëllojshmëria e habitateve dhe karakteristikat e tyre natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për lloje përfaqësuese të biodiversitetit.

Laguna dhe i gjithë ekosistemi përreth bëjnë pjesë në rezervatin natyror të menaxhuar por ky sistem i lagunës është identifikuar si një rajon kritik i prekshëm ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Ngritja e nivelit të detit dhe ndryshimet në intensitetin e reshjeve kanë sfiduar furnizimin me ujë, bujqësinë, peshkimin, infrastrukturën dhe ekosistemet natyrore. Nevoja për të ndërmarrë masa përshtatëse nuk është tashmë vetëm një dëshirë, por vjen si një domosdoshmëri jetike. Gjatë dy viteve të fundit, në këtë lagunë po zbatohet një instrument interesant dhe risi për Shqipërinë përsa i përket përshtatshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Projekti "Ndërtimi dhe rikuperimi i lagunës së Kune-Vainit" synon jo vetëm t’i japë jetë kësaj qasje të re në vendin tonë, por edhe të rrisë kapacitetet në nivel kombëtar dhe lokal për t'u përshtatur me ndryshimet klimatike duke përdorur një grup të integruar ndërhyrjesh përshtatëse bazuar në ekosistem (EbA).

Duke punuar në kuadër të projektit në disa drejtime, sot mund të themi që vetë qasja bazuar në ekosistem (EbA) tashmë është një koncept i prekshëm nga komuniteti dhe i studiuar në brendinë e tij. Marrëveshja e realizuar vitin e kaluar nga projekti, midis Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Universitetit të Tiranës, ka për qëllim mbështetjen e studentëve të fakultetit të Shkencave të Natyrës për ta studiuar këtë qasje dhe për të realizuar studime të mirëfillta shkencore në lidhje me zbatueshmërinë e EbA-s në vendin tonë. Në kuadër të kësaj marrëdhënie të re, projekt dhe universitet, një grup prej 15 studentësh do të monitorojnë disa komponentë të rëndësishëm jetësorë të lagunës si fitoplanktonin, zooplanktonin dhe bimët ujore (makrofitet).

Vizitat monitoruese në terren janë organizuar çdo dy muaj, me grupe të botanistëve, zoologëve, kimistëve, udhëheqësve të kursit dhe studentëve. Është shumë i rëndësishëm trajnimi i studiuesve të rinj për aplikimin korrekt të standardeve përkatëse të BE-së për të gjitha parametrat e zgjedhur, qoftë në terren apo në laborator.

Sistemi Kune-Vain është një laborator i hapur në natyrë për studentët dhe kërkuesit e rinj të institucioneve akademike dhe universitare të vendit tonë. Grupe studentësh kanë vizituar lagunat e Cekës, Zajes dhe Merxhanit për të studiuar jo vetëm biodiversitetin e zonës, por edhe për të vlerësuar dinamikat e këtij sistemi të brishtë lagunor. Prurjet me ujë të ëmbël përmes kanaleve dhe sasia e ujit të kripur që futet përmes detit kanë ndryshuar shumë përgjatë viteve duke shtuar në disa raste kripshmërinë në lagunë dhe ndikuar fuqishëm llojet bimore dhe shtazore. Prania e popullatës së gaforres blu Calinectes sapidus si lloj alien që është futur nga deti, ka ndikuar shumë llojet vendase duke ndryshuar edhe ekuilibrat ekologjikë të këtij ekosistemi. Ledi Selgjekaj, studente e Masterit të Biologjisë Mjedisore në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës shprehet se e ka vizituar shpesh lagunën për të numëruar shpendët folezonjës në të. “Ndër vitet e fundit, Kune Vaini është bërë një habitat shumë i rëndësishëm por edhe shumë tërheqës për shpendët folezues dimëronjës dhe migratorë ku përmendim lloje si rosa bishtgjel (Anas acuta), Marsatorja (Anas querquedula), Kryekuqja vogël (Aythya nyroca), Çafka përhimë (Ardea cinerea), Çafka e madhe e bardhë (Ardea alba), Rosa me katër sy (Bucephala clangula) etj., ndonëse kam vërejtur edhe raste të gjuetisë dhe shqetësimit të popullatave të shpendëve në këtë kompleks lagunor. Ardhja ime në zonë dhe vëzhgimi i popullatave në natyrë na plotëson formimin tonë profesional si menaxhues të ardhshëm të mjedisit natyror dhe zonave të mbrojtura”, thotë Ledi Selgjekaj.

Edhe pse kjo lagunë është një nga zonat e para të mbrojtura në Shqipëri, ajo nuk është shumë e vizituar siç ndodh me laguna të tjera të bregdetit të Adriatikut. Mos njohja e saj dhe sidomos e vlerave të saj natyrore ka ngjallur interesin e një grupimi studentësh të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të degës së biologjisë për pasurimin e informacionit në gjuhën shqipe për lagunën dhe llojet që jetojnë në të. Lehtësuar nga REC Shqipëri dhe grupimi i Wikipedias Shqiptare, ka filluar një nismë interesante mbi pasurimin e informacionit në shqip në Wikipedia për shumëllojshmërinë e jetës së gjallë në këtë lagunë. Wikipedia është enciklopedia më e madhe online në botë dhe përmbajtja e saj krijohet e gjitha vullnetarisht, gjë e cila rrit vlerësimin e punës së studentëve të angazhuar në këtë nismë. Në kuadër të Ditës së Tokës, datë 22 prill 2019, e cila këtë vit vjen me temën “Të mbrojmë llojet tona”, studentët po kontribuojnë për përditësimin e informacionit të larmisë biologjike, i cili do ti vijë në ndihmë të gjithë të interesuarve që vizitojnë faqen e Wikipedias në shqip.

: 154 views