Një copëz lagunë vjen në Tiranë

Prill 25, 2019 | Nga Daniela Ruçi, REC Shqipëri

Dhuratat e natyrës për planetin tonë janë miliona lloje. Për fat të keq, qeniet njerëzore kanë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekuilibrat e natyrës dhe si rezultat, bota po përballet me shkallën më të lartë të zhdukjeve të llojeve që prej kohës së dinozaurëve, më shumë se 60 milionë vite më parë. Por ndryshe nga fati i dinozaurëve, zhdukja e shpejtë e llojeve në botën tonë sot është rezultat i aktivitetit njerëzor. Ndryshimi i klimës tashmë është një realitet dhe sfidë për këdo që jeton në këtë planet.

Shkatërrimi global i paprecedent dhe zvogëlimi i shpejtë i popullsisë së bimëve dhe kafshëve të egra janë të lidhura drejtpërdrejt me shkaqet e nxitura nga aktiviteti njerëzor si: ndryshimi i klimës, shpyllëzimi, humbja e habitateve, trafikimi dhe gjuetia, bujqësia e paqëndrueshme, ndotja dhe pesticidet. Ndikimet janë shumë të mëdha, sidomos për ekosistemet më të brishta si ato të ligatinave dhe lagunave të cilat “thërrasin” për reagime më të shpejta.

Të gjitha qeniet e gjalla kanë një vlera të paçmueshme dhe secili organizëm luan një rol të veçantë në rrjetën e ndërlikuar të jetës. Ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur llojet e rrezikuara dhe të kërcënuara: insektet, bletët, zogjtë, gjitarët , delfinët, fokat por dhe të gjithë të tjerat.

Lajmi i mirë është se shkalla e zhdukjeve ende mund të ngadalësohet dhe shumë nga llojet tona në zhdukje, të kërcënuara dhe të rrezikuara mund të jenë përsëri të sigurta, nëse punojmë së bashku tani për të ngritur një lëvizje të përbashkët botërore të konsumatorëve, votuesve, mësuesve, udhëheqësve dhe shkencëtarëve për të kërkuar veprim të menjëhershëm.

22 Prilli festohet në të gjithë botën si Dita e Tokës, dhe në këtë ditë ajo që promovohet më shumë është kujdesi për planetin tonë. Tema e këtij viti ju bën thirrje të gjithë njerëzve të bashkohen me fushatën për Mbrojtjen e Llojeve tona.

Në këtë kuadër REJA, si një nga sitet turistike më të vizituara të Tiranës mirëpriti ekspozitën e fotografive të Lagunës së Kune Vainit në kuadër të ditës së tokës por dhe fushatës së ndërgjegjësimit që po bëhet në nivel kombëtar në kuadër të Projektit "Ndërtimi dhe rikuperimi i lagunës së Kune-Vainit".

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja, përse në ditën e Tokës REC Shqipëri sjell këtë Lagunë tek REJA në Tiranë?

Së pari Laguna e Kune Vainit është një lagunë që vizitohet jo shpesh nga qytetarët e Tiranës dhe e njohur prej tyre vetëm nga ekrani i televizorit për problematikën që ajo shfaq në lidhje me përparimin e detit drejt saj. Ardhja e lagunës nëpërmjet ekspozitës së fotove të llojeve apo peisazheve të saj kërkon të krijojë një marrëdhënie të qytetarëve me natyrën që do të duhet të përfshijë dhe vlerat e saj. Por njerëzit duhet ta mësojnë që Laguna e Kune Vainit është një ekosistem natyror-lagunor si dhe një nga lagunat më të rëndësishme të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Ajo është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, e shpallur e tillë qysh prej 1940, prandaj vlerat e saj në këtë ditë duhet të shpallen dhe më fort.

Ky ekosistem karakterizohet nga habitate të ndryshme të integruar në një ekosistem të vetëm. Shumëllojshmëria e habitateve dhe karakteristikat e tyre natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për lloje përfaqësuese të biodiversitetit. Ndër gjallesat e egra, llojet me status të veçantë që konsiderohen globalisht të rrezikuara, janë karabullaku dhe lundërza që kanë gjetur shtëpi tek Kune Vaini. Duke pare foton e çafkës së vogël, njerëzit do të mësojnë që kjo lagunë është e vetmja zonë shumimi për të. Por laguna vizitohet herë pas here nga breshkat e detit dhe foka mesdhetare që kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën e gjallë e larminë biologjike të vendit tonë por për të gjithë ekosistemin mesdhetar. Prandaj, në Ditën e Tokës është ndoshta momenti më i rëndësishëm për të organizuar aktivitete edukimi sepse rritja e vetëdijes për shkallën e përshpejtimit të zhdukjes së miliona llojeve dhe shkaqet dhe pasojat e këtij fenomeni kërkon që të punojmë të gjithë së bashku në arritjen e politikave kryesore që mbrojnë grupet e gjera të llojeve, si dhe llojet individuale dhe habitatet e tyre.

: 679 views