Mjedisi Sot 148 – Issue 148

Mjedisi Sot 148

Mjedisi prioriteti i heshtur

nëntor 2015 | Printim | Botim periodik

Muajt e vjeshtës sjellin rënien e temperaturave dhe drithërimën e vlerësimit të rradhës së Komisionit Europian për vendin gjatë vitit të fundit. Shumë rendën pas frekuencës së përdorimit të termave të tillë si “korrupsion” dhe “dekriminalizim” të cilët siç pritej u përmendën më shumë këtë vit. Mjedisi vijon të zërë vendin modest dhe jo konkurues në zhurmnajën e problematikave dhe prioriteteve të vendit.
Në tërësi, Raporti për Shqipërinë duket më pozitiv, ndërsa rekomandimet për mjedisin më të drejtpërdrejta. Tek e fundit, nëse nuk i kushton kujdes vitit të raportit, ndryshimi i perceptuar nga njerëzit për progres mjedisor, mbetet i vogël. Vlerësohen masat për mbetjet spitalore, por ende pak kemi ecur nëpër Shqipërinë e pastruar prej mbetjeve. Kemi shtuar ditët pa makina në qytete, por ajri mbetet i ngarkuar prej shkarkimeve industriale apo transportit. Kemi ndaluar gjuetinë e kafshëve të egra, por jo prerjet në pyje. Ndryshimet institucionale në menaxhimin e ujërave apo të zonave të mbrojtura, janë si filizat e vegjël që ende nuk kanë çelur lule e lidhur fruta.
Jemi të paduruar apo kemi kuptuar se disa problematika mjedisore e kanë cënuar pakthyeshmërisht trashëgiminë dhe të ardhmen tonë? Faktikisht kemi humbur një pjesë të rëndësishme të pasurisë së paçmueshme natyrore: tokë, ujë, lloje bimësh e kafshësh dhe pejsazhe. Vështirësi të shumta janë kapërcyer gjatë kësaj periudhe, por vështirësitë më të mëdha i përkasin të ardhmes. Vështirësia më e madhe janë pikëpyetjet e shumta të dilemave të zhvillimit të vendit. Duke ju referuar Perceptimit të Publikut për mjedisin 2015, 60% e të anketuarve shprehen se “më shumë investime të shkojnë për çështje mjedisore sesa çështje të përfitimit ekonomik”; ndërkohë që rreth 58,1% janë plotësisht dakort dhe shumë dakort se “mbrojtja e mjedisit mund të nxisë rritjen e ekonomike të vendit”. Shifrat kanë filluar të flasin qartë mbi evoluimin e opinionit publik drejt zgjedhjeve më të balancuara. Rendja e shfrenuar për të kapur sa më shumë pikë përqindje në rritjen ekonomike, po shterr fuqinë tonë dhe kapacitetet e vendit për rendur më tej…
Programet partiake 4 vjeçare mbeten shumë afatshkurtra, kundrejt planifikimeve 15-20 vjeçare të zhvillimit afat gjatë të vendit. Politikat ekonomike të zhvillimit të shpejtë ekonomik duket se nuk janë të mundura dhe nuk materializohen në një standard më të mirë jetese për njerëzit. Madje mund të themi se kanë rezultuar shpesh në konflikte sociale dhe degradimin mjedisor prej shfrytëzimit të burimeve, zënies së tokës apo në migrimin e komuniteteve drejt zonave të tjera. Gjatë muajit tetor 2015, disa grupime mjedisore, të mbështetura dhe drejtuara nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) kanë artikuluar problematika prioritare të vendit, disa prej te cilave do ti gjeni të përmbledhura në faqet e këtij numri të Mjedisit Sot. Zëri i shoqërisë civile shpreh me guxim se reforma mjedisore nuk është çështje padurimi, por një kusht ekzistence dhe identiteti!

Numrat / Versione në gjuhë të tjera