Mjedisi Sot 155 – Issue 155

Mjedisi Sot 155

Është mirëqenia fizike, mendore dhe sociale - SHËNDETI

mars 2018 | Printim | Botim periodik

“Shëndet – Shëndet paç”… urimi i përmotshëm që njerëzit i japin njëri-tjetrit vetëm për një teshtimë. Por, a varet shëndeti jonë vetëm nga një urim i sinqertë dhe plot dashamirësi i personit që kemi afër? Kur mund të themi se jemi “të shëndetshëm”?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), “shëndeti është mirëqënia fizike, mendore dhe sociale dhe jo vetëm mungesë e sëmundjes apo e pafuqisë”.

Në këtë kontekst, shëndeti është një arritje dhe ruajtje e stabilitetit fizik dhe mendor, por çdo njeri është unik dhe e sheh shëndetin e tij të lidhur me mënyrën e jetesës dhe mjedisin që e rrethon.

Mjedisi është faktor kyç për një jetë sa më të shëndetshme. Ajri që thithim, uji që pimë, toka që na jep ushqim, luajnë rol përcaktues në shëndetin e njeriut. Nga ana tjetër, çdo veprim dhe zgjedhje që ne bëjmë ndikon në mjedis, duke krijuar kështu një marrëdhënie të ndërsjelltë ndërmjet mjedisit dhe njeriut.

E ndërsa natyra dhe Toka mëmë janë përpjekur, gjithmonë, të na ofrojnë burimet e tyre në mënyrë sa më të qëndrueshme për një jetë sa më të shëndetshme e të gjatë, ne njerëzit nuk ia kemi kthyer me të njëjtën monedhë. Etja për të fituar sa më shumë duke investuar sa më pak në mbrojtje të mjedisit, babëzia për të marrë sa më shumë nga natyra pa respektuar rregullat e saj, kanë lënë gjurmët e tyre të thella në mjedisin tonë, gjurmë të cilat vështirë të fshihen pa na dëmtuar seriozisht shëndetin.

Veprimet për përmirësim duhet të prekin të gjithë njerëzit, në çdo cep të vendit e të globit. Le të përpiqemi të gjithë së bashku të përmirësojmë mjedisin tonë për të përmirësuar shëndetin tonë.

Numrat / Versione në gjuhë të tjera