Mjedisi Sot 156 – Issue 156

Mjedisi Sot 156

Mirëpërdorim / Konservim

korrik 2018 | Printim | Botim periodik

Këtë fundjavë mendova të arratisesha nga dëshira e zakonshme për rrëzitje në plazh dhe të shijoja diçka ndryshe. Kjo ide bëhet më e vështirë nëse dëshiron të fokusohesh në natyrën ende të ruajtur shqiptare. Kundrova disa oferta turistike të agjencive shqiptare dhe më tërhoqi Lumi i Shalës, i promovuar rishtasi si destinacion i veçantë natyror, shpesh pa e nënvlerësuar si ekzotik në rrezë të Alpeve shqiptare. Nuk isha i vetmi. Gjatë udhëtimit me varkë drejt asaj mrekullie, mësova se ishin disa qindra njerëz që e vizitonin në fundjavë për të shijuar natyrën e paprekur, bukurinë e ujit dhe të malit, freskinë nën gjelbërimin e pyjeve dhe sportet në natyrë. Prej kohësh kemi përsëritur se natyra e bukur shqiptare është një vlerë e paçmuar. Dëmtimi i një pjese të saj prej intensitetit të ndërtimeve në bregdet, prerjes së pyjeve apo edhe zhvillimeve të pakontrolluara ka rritur presionin mbi zonat e tjera, të cilat ende ruajnë bukuri të pacënuara. Dyndja e pakontrolluar, shërbime të ofruara pa planifikim zhvillimor dhe standarde të përcaktuara, rrezikojnë që prirjen për zhvillim të këtyre zonave ta kthejnë në kah të kundërt: mbishfrytëzim, dëmtim dhe cënim të vlerave natyrore. Shumë prej zonave të tilla natyrore, qoftë edhe pjesë të zonave të mbrojtura, iu mungon koncepti menaxhues ku vizita dhe shërbimet e ofruara duhet të përmbajnë edhe kosto shtesë të cilat duhen paguar prej nesh per të mundësuar një sërë shërbimesh mbrojtëse dhe konservuese në këto zona. Deri më tani, jemi ndjerë të kënaqur vetëm me krijimin e mundësisë për biznes: disa varka transporti, një bar për kafe e pije freskuese, ndonjë restorant apo shërbim tjetër mbështetës. Mundësitë që ofrojnë zona të tilla janë shumë më të mëdha, që të organizuara dhe të mirëmenaxhuara do të sjellin më shumë të ardhura për komunitetet, bizneset vendore, por edhe shërbim më të mirë për vizitorët e dashamirësit e natyrës. Në fund të vizitës në Lumin e Shalës, isha mbushur me dëshirën për ta vizituar sërish, me shpresën e ruajtjes së paprekur të kësaj natyre veçanërisht të bukur.

Numrat / Versione në gjuhë të tjera